Fitorja e Joe Biden s’e zhbën 4 shtatorin, mendon Vuçiq

Serbia është ndarë e kënaqur me marrëveshjen e arritur në mes të saj e Kosovës me 4 shtator në Uashington. Prandaj presidenti i saj dëshiron që zotimet e bëra atje të zhvillohen si veprimtari konkrete në Ballkan. Ai thotë se i ka garantuar ambasadori amerikan, se përkundër zgjedhjeve, asgjë nuk ka ndryshuar kur vije puna tek marrëveshja e 4 shtatorit.

Fitorja e Joe Biden s’e zhbën 4 shtatorin, mendon Vuçiq

Donald Trump i ka humbur zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato i ka fituar një person si Joe Biden, me krejtësisht ide e politika të ndryshme. Por, përkundër kësaj, Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, është i sigurt se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i qëndrojnë besnike marrëveshjes së nënshkruar në mes të Kosovës e Serbisë me 4 shtator, njofton Insajderi.

Madje, siç shkruan agjencia serbe e lajmeve Tanjug, presidenti serb garancinë se SHBA-të do t’i qëndrojnë besnike marrëveshjes, e ka marrë nga ambasadori amerikan në Beograd, Anthony F. Godfrey.

“Marrëveshja është shumë e rëndësishme për ne, për mini-Schengenin dhe për investimet e përparimin ekonomik të Serbisë”, tha Vuciq para gazetarëve.

Ai shtoi se i është garantuar nga ambasadori amerikan se përkundër rezultati zgjedhor, asgjë nuk do të ndryshojë në SHBA sa i takon marrëveshjes së 4 shtatorit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kishin nënshkruar marrëveshje për normalizimin ekonomik, që ka 16 pika.

Të dyja palët nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i kanë nënshkruar zotimet e tyre.

Njëkohësisht, presidenti Trump ka nënshkruar një letër përmes të cilës ai i ka përgëzuar palët për guximin lidhur me arritjen e përparimit për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai i pati quajtur këto negociata si përparim diplomatik historik, duke shtuar se normalizimi ekonomik i arritur në Shtëpinë e Bardhë, është çelësi për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan./Insajderi.com