fbpx

Fjalët e Haradinajt në prag të aktakuzave të para nga Gjykata Speciale

Fjalët e Haradinajt në prag të aktakuzave të para nga Gjykata Speciale

Saktësisht 1 vit më parë, Kosova ndodhej nën presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për tu tërhequr nga iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Përveç 43 deputetëve nënshkrues të nismës për këtë veprim, me izolim kërcënohej edhe i mbarë vendi.

12 muaj më vonë, Kosova po ballafaqohet me punën e institucionit plotësisht funksional, ligjërisht të njohur si Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Dy prej ish-komandantëve të UÇK-së, Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa, janë ftuar që të hënën, të paraqiten pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për intervistim, ndërsa ftesa kanë pranuar edhe tjerë, ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Siç e ka konsideruar në vazhdimësi, kryeministri Ramush Haradinaj, edhe një herë tjetër e quajti të padrejtë këtë institucion, por shprehu besimin se në fund, ish-krerët e UÇK-së do të dalin faqebardhë.

Haradinaj është pyetur edhe për taksën për produktet serbe, dhe sipas tij, ka nisur një fushatë në kundërshtim të saj, por pavarësisht kësaj, taksa do të mbetet.

“Luftëtarët e lirisë i kanë kaluar filtrat e UNMIK-ut pastaj Tribunalin e ish-Jugusllavis, EULEX-in, gjykatat vendore të Kosovës dhe padrejtësisht i është ngarkuar Kosovës edhe një filtër, por me nderin më të madh luftëtarët e lirisë do ta kalojnë”, ka deklaruar Haradinaj.

Nga Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, Haradinaj foli edhe për Luginën e Preshevës, për çka ka thënë se nuk do të bëhet pazar me të, pasi përfshirja e saj do të mund të paraqiste rrezik për arritjet e deri tashme.

Në Gjilan Haradinaj qëndroi për homazhe te lapidari dhe varrezat e heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të cilët ishin vrarë në vitin 1984 nga forcat Serbe.

Kjo kishte shënuar një ngjarje të veçantë dhe kthesë të rëndësishme, duke qenë përballja e parë e armatosur.