Fjalimi i vetëm i Azem Sylës në Kuvend: I jap mbështetje EULEX-it

“Më vjen shumë keq, për çdo e keqe dhe e rëndë që ka ndodhur në Kosovë, i kam dhënë dhe i jap mbështetje Policisë sonë, Gjykatës, EULEX-it edhe të UNMIK-ut edhe Gjykatës së fundit, që të hetojë lirshëm dhe drejt”, kishte thënë Azem Syla në fjalimin e tij të parë dhe të fundit si deputet në Kuvendin e Kosovës.

Fjalimi i vetëm i Azem Sylës në Kuvend: I jap mbështetje EULEX-it

Është cilësuar gjithmonë si deputeti më pasiv në të gjitha legjislaturat e Kosovës. Ka folur vetëm një herë në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Insajderi ka gjetur se fjalimi është mbajtur me 6 maj 2015.

Dhe në këtë herë të parë që kishte folur, kishte shpjeguar gjerë e gjatë karrierën e tij.

Seancën e kryesonte Xhavit Haliti, i cili i jep tre mundësi shtesë për të folur. Madje herën e tretë Haliti ka një arsye të fortë pse po i jep kohë më tepër Sylës.

“Edhe sa ke? S’ka diskutuar asnjëherë deri më sot edhe t’ia lëmë”, thotë Haliti teksa ia jep kohën e fundit Sylës për të folur.

E pikërisht në fund, Syla flet për mbështetje që i jep Policisë, Gjykatës dhe EULEX-it për të hetuar krimet në Kosovë.

Një vit pas Azem Syla po kërkohet që të arrestohet nën dyshimin për krim të organizuar dhe shpëlarje parash, raporton Insajderi.

Ai nuk është dorëzuar. Por nga arratia ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Insajderi ka raportuar se Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal. Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshohet se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro. Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006.

Lexoni transkriptin fjalimin e vetëm të Azem Sylës si deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili është publikuar edhe në videokanalin zyrtar të Kuvendit të Kosovës në Youtube.

Shkas për këtë fjalim ishte kërkesa e atëhershme e Melihate Tërmkollit për dorëheqjen e Azem Sylës.

KRYESUESI: Faleminderit! Fjalën e ka zoti Azem Syla.

 AZEM SYLA: Përshëndetje! Në këtë periudhë kohore që jam këtu, kam dëgjuar dhe përcjellë debate dhe mendime, edhe të arsyeshme, edhe jo të arsyeshme, edhe reaksionare, edhe kundërshtuese, edhe fyese kundër njëritjetrit, por e përgjithshmja për mendimin tim ka qenë dhe është pozitive. Para pak javëve në këtë Kuvend, zonja Melihate kërkon dorëheqjen time dhe të dy shokëve të partisë, e nuk e di a u kuptua nga ne të gjithë kur thotë “më mirë ishim në vitet e ‘90-ta sesa sot”. Për të parën nuk vendos ajo për dorëheqjen time, por populli që më dha besimin, pa dalë dhe për t’u kuqur para tyre për ta kërkuar votën dhe për t’i gënjyer për premtimet që ata kanë nevojë. Për të dytën, zonja Melihate, kur isha në burg në vitet ‘81-‘82-‘83, nga shtypi i ditës që erdhi thoshte se u lëndua në lëvizje në shëtitje me helikopter, në atë kohë që e kishte pozitën e rinisë për kohën. Dihet se kush ka lëvizur me helikopter në vitet ‘81. Në vitet ‘72-‘73 e kam filluar 13 punën si arsimtar matematike, fizike dhe kimie, kurse në vitin ‘81 dënohem dhe dal në vitin ‘86 nga burgu. Në Klinë kam punuar deri në vitin para se të arrestohem, kurse në Shqipëri kam qenë para viteve të ‘80-ta dhe pas daljes nga burgu në vitet ‘87-‘88, e në Shqipëri nuk kam qenë për t’u pasuruar, por dihet për çfarë kam qenë. Pas daljes nga burgu, e vazhdova prapë aktivitetin këtu aty ku e pata lënë gjatë arrestimit, që e filluam bashkë me shokë dhe është një brengë për mua, meqë shokët e burgut pas daljes e filluan punën e tyre aty ku e gjetën më lehtë. Është për t’u theksuar që dallohej Ahmet Haxhiu për guximin e tij të pashoq dhe vetëmohues, si dhe Nazmi Llapashtica. Në ngjarjet e vitit ‘89 prapë arrestohem sikur shumë bashkëkombës dhe mbahem në izolim deri në fund të gushtit. Këtu, siç dihet, merren ato pak të drejta në vitet ‘89 që i pati Kosova me diktatin e tankeve. Nga fundi i viteve ‘91-‘92 dhe fillimi i vitit ‘93 takohem me zotin Rugova. Takimet ishin në banesën e tij dhe ishin konsultive dhe shumë të rregullta. Pas marrjes së lidhjeve me vartësit e zotit Rugova nuk kaluam arsyeshëm dhe mirë dhe u ndamë keq. Pas dy javësh fillojnë arrestimet në radhët e LDK-së, e pas dy javëve edhe te ne. Në vitin ‘92, në Shqipëri takohem me një mik të shqiptarëve në Veri. Aty u bisedua nëse ndodh kjo në Kosovë, si do të gjendet Shqipëria dhe populli shqiptar? Nëse ndodh në Kosovë, çfarë do të ndodhë me Maqedoninë dhe me popullin shqiptar atje? Dhe, për mendimin tim ky takim mund të ketë qenë që lufta jonë të mbetet e fundit me Serbinë. Në vitin 1981, në burgje, torturues, hetues, gjykatës, prokurorë…

KRYESUESI: Vazhdoja edhe një minutë!

AZEM SYLA: …Nga viti ‘99, veç pak më falni, dhe një që më mvishet pas lufte, ju garantoj të gjithëve që është shpifje, gjoja se unë kam hotele, Grandin, Viktorinë, Bacin, Al-Traden, Naftën, tenderët e KEK-ut… Juve ju garantoj, çdo gjë që e kam paraqitur dhe çdo gjë që mund të jetë kjo që deklarohet, ju jap që t’i marrë ligji ose e drejta. Në shtetin zviceran e pata një ndeshje…

KRYESUESI: Edhe sa ke? S’ka diskutuar asnjëherë deri më sot edhe t’ia lëmë.

AZEM SYLA: Më vjen shumë keq, për çdo e keqe dhe e rëndë që ka ndodhur në Kosovë, i kam dhënë dhe i jap mbështetje Policisë sonë, Gjykatës, EULEX-it edhe të UNMIK-ut edhe Gjykatës së fundit, që të hetojë lirshëm dhe drejt. Gjykatës së fundit unë do t’i them po. Për çdo shqetësim të Gjykatës së fundit më vjen keq nga bashkëluftëtarët dhe nga bashkë shokët e burgut, që në këtë periudhë jemi gjendur sikur ishalla mua s’më gjejnë e gjejnë tjetrin, një heshtje, kurse pas luftës disa rrahin gjoks, e kam bërë vet, e kam bërë se lufta që është bërë e kemi bërë ne bashkë me popullin dhe bashkë me ndërkombëtarët.

Dhe, për në fund, i uroj që Kosova të jetë e begatë, të jetë me të mira, të jetë me ligj, të jetë me të gjitha, sikurse shtetet tjera. Faleminderit!