Flasin nga AAK-ja për koalicionin parazgjedhor me PSD-në

Flasin nga AAK-ja për koalicionin parazgjedhor me PSD-në

Më 22 gusht, pritet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nga i pari i shtetit. Mirëpo, duket se para se të shpërndahet kuvendi, partitë politike, do t’i futen garës për zgjedhje duke bërë koalicione parazgjedhore.

Në lidhje me një koalicion të mundshëm ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate, është folur edhe sot nëpër media.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, nuk e ka mohuar që nesër do të ketë marrëveshje për koalicion parazgjedhor me PSD-në.

“Jam e prirë me i pritë strukturat. Nesër në orën 12:00 e kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe pas mbledhjes, dalim zyrtarisht”, ka thënë shkurtimisht Haxhiu për Insajderin.

Përgjigje të njejtë ka dhënë edhe Dardan Sejdiu nga PSD.

“Nesër ne e kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues, dhe në atë mbledhje do të diskutohen të gjitha koalicionet e mundshme parazgjedhore, apo garimi i vetëm në zgjedhje. Nesër në ora 12 kemi mbledhje të këshillit, dhe këshilli merr vendime për mënyrën se si ecim përpara. Kaq mund të them”, i ka thënë Insajderit, Sejdiu.

Burimet e Gazetës Express kanë bërë të ditur se të hënën, më 19 gusht, pritet të zyrtarizohet marrëveshja e AAK-së dhe PSD-së për koalicionin parazgjedhor.