Flet gruaja e parë e ftuar nga Gjykata Speciale: Ju tregoj si më erdhi ftesa

Flet gruaja e parë e ftuar nga Gjykata Speciale: Ju tregoj si më erdhi ftesa

Ish-ushtarja e UÇK-së, Raimonda Rreci, e cila konfirmoi të mërkurën në mbrëmje se është ftuar për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka deklaruar se nuk është në dijeni se në çfarë cilësie është ftuar nga prokurorët special. Ka thënë se ftesa i ka ardhur nga “prokurorja McGregor”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Rreci, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ka thënë se një kërkesë zyrtare për intervistimin e saj nga Prokuroria e Specializuar i ka shkuar edhe Departamentit të Shtetit në ShBA.

“Ju faleminderit të gjithëve per përkrahjen qe jeni duke me dhënë si përmes mesazheve në media sociale apo edhe telefonatat e panumërta qe kur e bëra publik atë njoftimin për ftesë. Po me pyesni ne çfarë cilësie jam e ftuar? Në email por edhe përmes kërkesës që i është dërguar Departamentit të Shtetit këtu në Amerikë, realisht nuk ceket se në çfarë kategorie dhe për këtë janë duke u marre qeveria Amerikane me Gjykatën Speciale”, ka thënë Rreci.

“Në telefonatën qe kisha me zonjën McGregor me datë 04.12.2018 më tha se jam duke u cilësuar si dëshmitare”, u shpreh ish-ushtarja e UÇK-së.

Rreci thotë se nuk e ka në plan t’i ikë Gjykatës Speciale. Thotë se nuk ka asgjë çfarë të fshehë.

“Nuk kam plane te mos i përgjigjem gjykatës pa marrë parasysh se në çfarë cilësie. Nuk kam asgjë të fsheh, mbase deklaratat e mia nuk do ju pëlqejnë por unë do i përgjigjem”, ka thënë Rreci.

Komentuesit e kanë pyetur të mërkurën Rrecin nëse është duke bërë shaka me këtë postim, por ajo u ka thënë se gjithçka është e vërtetë, e madje, me ironi, ka thënë se është nder i madh që është e vetmja femër e ftuar nga kjo Gjykatë.

“Deri tash se kam ditur që jam e vetmja femër. Nder i madh”, ka komentuar zonja Rraci.

Ish-ushtarja e UÇK-së ka treguar se ftesa ndaj saj ka ardhur në cilësinë e dëshmitares.

“Me fjalë më thënë se jam ‘dëshmitare’, por s’është asgjë e re kjo. Herën e fundit kur i kanë arrestuar grupin ‘Kleçka’, emri im ka qenë nëpër gazeta edhe atëherë, por atëherë kam qenë duke u marrë me kancer”, ka shkruar ish-ushtarja e UÇK-së, Raimonda Rraci.