Flet i riu shqiptar që u sulmua nga serbët në Novi Sad

Flet i riu shqiptar që u sulmua nga serbët në Novi Sad

Dy të rinj shqiptarë janë rrahur brutalisht nga disa serbë në Novi Sad të Serbisë, mes natës së të shtunës dhe të dielës, dhe njëri prej tyre ka pësuar lëndime më serioze.

Në një rrëfim për gazetën serbe “Blic”, një nga shqiptarët e sulmuar ka thënë se në momentin kur i kanë dëgjuar duke folur në shqip, serbët kanë filluar t’i sulmonin brutalisht.

“Ne u nisem për në shtëpi, pamë se kishte mbetur një taksi i linjës në stacion. Unë i thashë atij në gjuhën shqipe të shpejtojë. Në atë moment na dëgjuan dy të rinj serbë dhe papritur filluan të na sulmonin. Pastaj erdhën edhe dy a tre të tjerë”, thotë për “Blic” B.G, një nga dy të rinjtë (19 vjeçar) shqiptarë nga Prizreni të cilët ishin rrahur brutalisht në Novi Sad.

Njëri nga djemtë kishte shkuar nga Prizreni në Novi Sad në kërkim të punës dhe synonte të punonte në këtë qytet. B.G flet serbisht dhe jeton në Novi Sad.

“Dy prej serbëve na dëgjuan se po flisja në gjuhën shqipe dhe na sulmuan, gjithsej ishin katër ose pesë veta. Nuk jam i sigurt. Gjithçka zgjati rreth një minutë. Ishin moshatarë me ne, ndoshta edhe më të rinj. Shoku im ra në tokë, ata e goditën në kokë, unë u përpoqa ta ndihmoja, dhe pastaj filluan të më godasin edhe mua. Ata na goditën me grushte dhe shqelma, pastaj nuk më kujtohet asgjë”, tha i frikësuar B.G, shkruan “Presheva”.

Viktimat u shpëtuan nga thirrjet e dy grave nga një kioskë aty pranë, pastaj erdhi ambulanca dhe policia.

B. G. ka dhënë deklaratë në polici, e cila ia kishte treguar atij disa incizime të një rrahje të mëhershme në të cilën kishin marrë pjesë të njëjtit huliganë, shkruan “Blici”.

“Më pyetën se ai njoh ata nga më parë, a kemi qenë në konflikt më herë. Deri atëherë ne s’i kemi parë ata, por i njoha përmes pamjeve [të Policisë]. Para se të na sulmonin, kishte ndodhur një rrahje tjetër rreth 50 metra nga vendi i njëjtë”, shtoi B.G.

Çlirim Maloku është viktima tjetër e këtij sulmi, i cili kishte shkuar në Novi Sad për një jetë më të mirë, konfirmoi për “Blic”, vëllai i të plagosurit, Dibrani. Ky i fundit shkoi herët në mëngjes në Vojvodinë nga Prizreni pasi dëgjoi për incidentin. Dibrani thotë se vëllai i tij sapo kishte përfunduar shkollën e mesme dhe shkoi dy ditë më parë në Novi Sad, “sepse ai kishte dëgjuar se Novi Sadi është një qytet i qetë”.

Dibrani, sipas “Blicit”, falënderoi stafin mjekësor për ndihmën emergjente të ofruar për të dy të lënduarit.

E nga qendra klinike në Vojvodinë i është konfirmuar “Blicit” se Çlirim Maloku është jashtë rrezikut për jetë.