Flet para gjykatës i akuzuari që me traktor tentoi ta shkelë një person në Graçanicë

Flet para gjykatës i akuzuari që me traktor tentoi ta shkelë një person në Graçanicë

I akuzuari për veprën penale “vrasje në tentativë”, Millosh Filipoviq, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Filipoviq po akuzohet se me 30 maj të këtij viti, në fshatin “Livagje”, Komuna e Graçanicës, me dashje kishte tentuar ta provojë nga jetë të dëmtuarin Milan Cvejiq, duke e goditur me traktor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Besa Limani, i akuzuari Filipoviq nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, e ka njoftuar të akuzuarin Filipoviq dhe mbrojtësen e tij, avokaten Drita Hoxha se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndërkaq, avokatja Hoxha ka kërkuar që të mbrojturit të saj ti ndërpritet masa e arrestit shtëpiak dhe ti zëvendësohet me atë të paraqitjes në stacion policor.

Sipas saj, prokurorja para se të intervistojë të akuzuarin dhe të dëmtuarin kishte kërkuar vazhdimin e kësaj mase, ndërsa më pas kur i kishte dëgjuar të dy, kishin deklaruar se ishin pajtuar familjarisht dhe se kishin premtuar se mes tyre nuk do të kishin më probleme.

Po ashtu, sipas saj i akuzuari Filipoviq ishte mbajtës i vetëm i familjes, ishte bujk dhe për shkak të masës së arrestit shtëpiak, iu ishte pamundësuar që të punojë.

Edhe pse këtë propozim e ka kundërshtuar prokurorja Limani, gjykatësi Kalludra ia ka ndërprerë masës e arrestit shtëpiak duke e lënë të akuzuarin Filipoviq të mbrohet në liri.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar të mbahet me 27 gusht 2019, në ora 13:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, aktakuzën ndaj Millosh Filipoviq e kishte përpiluar me 5 korrik 2019, për shkak të veprës penale “vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, Filipoviq me 30 maj 2019, në rrugën e fshatit Livagje, Komuna e Graçanicës, me dashje kishte tentuar ta provojë nga jetë të dëmtuarin Milan Cvejiq.

Në aktakuzë thuhet se derisa Cvejiq kishte qenë duke ecur rrugës së fshatit, i akuzuari Filipoviq me traktor i kishte kaluar afër, e kishte sharë me fjalët “Pushi k…”, dhe kishte vazhduar lëvizjen rreth 100 metra të drejtim të Lapje Selo.

I dëmtuari Cvejiq ia kishte njohur zërin të akuzuarit Filipoviq pasi një kohë të gjatë kishin pasur raporte të këqija, dhe në momentin kur kishte parë se i akuzuari po kthehej me traktor, ai kishte dalë në rrugë për ta ndaluar dhe për ta pyetur se pse po e provokon, mirëpo i akuzuari Filipoviq e kishte goditur me traktor, duke e rrezuar për tokë, dhe duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Pastaj, kur i dëmtuari Cvejiq ishte ngritur në këmbë, e kishte dëgjuar të akuzuarin Filipoviq duke ia sharë nënë dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.