Flota amerikane udhëheq stërvitjen e NATO-s në Baltik

Një stërvitje e madhe ushtarake ku marrin pjesë forcat detare të 18 vendeve po zhvillohet në Baltik dhe do të zgjasë deri më 21 qershor. Kjo është stërvitja e 47-të vjetore operacionale, e njohur me emrin BALTOPS. Këtë radhë, ajo udhëhiqet nga Flota e Dytë e Marinës Amerikane, që u rikrijua së fundmi për të mbrojtur Atlantikun e Veriut dhe Arktikun.

Flota amerikane udhëheq stërvitjen e NATO-s në Baltik

Stërvitja Baltops është një nga më të mëdhatë në Evropën veriore. Marrin pjesë 50 anije, dy nëndetëse, 36 avionë dhe mbi 8 mijë trupa.

Por, ushtrimi i këtij viti udhëhiqet nga një komandant që nuk e ka selinë në Evropë, por matanë oqeanit në Norfolk, të shtetit amerikan Virxhinia.

Nënadmirali amerikan Woody Lewis, komandanti i Flotës së 2-të Amerikane, deklaroi për VOA se fleksibiliteti i kësaj flote të vogël është një ndër avantazhet e saj më të mëdha.

Flota e 2-të ruan Atlantikun e Veriut dhe Arktikun. Ajo ishte mbyllur në vitin 2011, në një periudhë shkurtimesh buxhetore dhe kur këto ujëra nuk kishin nevojë për shumë mbrojtje ushtarake.

Por, kohërat kanë ndryshuar. Drejtuesit ushtarakë amerikanë thonë se Rusia ka shtuar lëvizjet në nivelet e Luftës së Ftohtë dhe Kina ka filluar gjithashtu operacione në këtë rajon.

Dhe nuk janë të shqetësuara vetëm Shtetet e Bashkuara.

NATO ka krijuar një komandë të re për t’u përballur me një Rusi të fuqizuar në Atlantikun e Veriut. Nënadmirali Lewis drejton edhe këtë komandë.

Tashmë, Flota e 2-të është krijuar dhe po zhvillon operacione. Pritet që deri në vitin 2021, edhe NATO të ketë flotën e saj për këtë pjesë të globit.