Forbes: Kosova, suksesi më i madh i Ligës së Kombeve

Forbes: Kosova, suksesi më i madh i Ligës së Kombeve

Mediumi prestigjioz amerikan “Forbes” e ka cilësuar Kosovën si suksesin më të madh të Ligës së Kombeve.

Në një raportim të fundit, “Forbes” ka vlerësuar se teksa për shtetet e mëdha, Liga e Kombeve ishte lehtësim nga miqësoret e zakonshme dhe ndeshjet ekzibicionale, për ekipe të tjera u konsiderua shans që të luajnë ndeshje me rivalët e të njëjtit nivel dhe rrugë më e lehtë për kualifikim për në Kampionatin Evropian më 2020.

“Dhe për një skuadër të vogël, ky mund të jetë momenti më i madh në historinë e futbollit për ta. Sigurisht, historia e Kosovës në futbollin evropian daton vetëm nga vitit 2016, por fitorja e së martës 4 me 0 ndaj Azerbajxhanit është ora më e mirë e tyre. Shteti, që u shpall i pavarur nga Serbia më 2008, luftoi gjatë dhe shumë për t’u pranuar në UEFA dhe nisi jetën pa asnjë lojtarë, pa stadium e pak më shumë se shpresë. Tani, ata kanë shans të mirë për t’u kualifikuar në Euro 2020”, shkruan Forbes në artikullin për Kosovën.

Për shkak të rangimit të ulët, Kosova u pozicionua në Ligën e fundit të Ligës së Kombeve. Aty ishin katër grupe ku fituesi i secilit grup kalon një ligë më lartë dhe shkon në “Play-Off” për të tentuar kualifikimin në Euro 2020. Kosova arriti këtë dhe do të takohet me Maqedoninë në gjysmëfinale të këtij “Play-Offi” e nëse fiton në finale përballet me fituesin e duelit Gjeorgji-Bjellorusi.

“Sistemi mund të jetë i ndërlikuar, por të gjithë në Prishtinë e dinin mirë si funksionon. Ata hynë në ndeshjen e mbrëmshme duke e ditur se një fitore u garanton progresin dhe stadiumi ishte i mbushur plot. Zhurma kur topi përfundonte në rrjetë tregon se sa shumë kuptim kishte për banorët, njëjtë sikur emocionet e lojtarëve”, shkruan më tej “Forbes”.

“Forbes” shkruan po ashtu se një sukses i Kosovës mund të nxjerrë edhe më talente të Evropës që mund të luajnë për këtë shtet. “Një nga problemet e Kosovës ishte bindja e lojtarëve më të mirë kosovarë që të luajnë për Kosovën, sidomos atyre që vijnë nga diaspora”, shkruan “Forbes”, duke dhënë shembullin e vëllezërve Xhaka, ku Taulanti u paraqit për Shqipërinë e Graniti për Zvicrën në përballjen në Kampionatin Evropian 2016. Aty përmendet edhe Xherdan Shaqiri i Liverpoolit e anëtari i Real Sociedadit, Adnan Januzaj. Të gjithë këta përmenden si disa nga qindra lojtarë kosovarë të shpërndarë në ligat evropiane.

“Për një komb që pati migrim të madh në fundin e viteve të ’90-a për shkak të luftës, një brez i ri, i përbërë nga emigrantët që lëvizën si fëmijë, apo u lindën pak pasi prindërit e tyre u larguan, mund të jetë shtytje e madhe e talenteve”, vlerëson ky medium.

“Forbes” po ashtu shkruan se shumica e lojtarëve të Kosovës janë rritur jashtë vendit duke përmendur këtu heroin e mbrëmjes të së martës, Arbër Zenelin, që realizoi hat-trick, dhe yllin e Werder Bremenit, Milot Rashica.

Në fund, “Forbes” ka shpjeguar rrugëtimin e vështirë të kombëtares së Kosovës duke e nisur me vetëm 12 lojtarë të kualifikuar për ndeshjen si mysafire ndaj Finlandës më 2016. Ky medium ka shkruar po ashtu se Kosova u detyrua të luajë në Shqipëri pasi s’kishte stadium të pranuar ndërkombëtarisht, ndërsa nuk ka lënë anash as faktin që ndeshja Ukrainë-Kosovë u zhvillua në Poloni për shkak se Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës. “Për të arritur nga aty në prag të kualifikimit është e arritur mahnitëse”, shkruan “Forbes” duke shtuar në fund se Kosova ishte e fundit si e ranguar në kuadër të grupit të vet, por doli e pamposhtur e me goldiferencë të jashtëzakonshme 15:2 në gjashtë ndeshje.