Formacioni i mundshëm i Kosovës përball Maqedonisë së Veriut

Formacioni i mundshëm i Kosovës përball Maqedonisë së Veriut

Sonte në mbrëmje (e enjte) në  gjysmëfinalen e divizionit D të Ligës së Kombeve, dhe me shumë mungesa, Kosova do të përballet ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup, njofton Insajderi.

Kosova në këtë përballje do të ketë mungesën e tetë lojtarëve kryesor, me Rashicën e lënduar, ndërsa listës së lëndimeve i shtohen edhe Voca, Halimi, Kryeziu, dhe kapiteni i parë, Samir Ujkani.

Në anën tjetër, yjet kosovare që  luajnë në Serie A, Vedat Muriqi dhe Amir Rrahmani nuk do të jenë për arsye se Muriqi sapo është bashkuar me Lazion pas infektimit me Covid-19, ndërsa Rrahmani nuk ka mundur të udhëtoj për arsye se te Napoli dy lojtarë kanë dalur pozitiv me virus dhe napolitanët janë të karantinuar.

Mungesa e fundit, është ajo e anësorit Bernard Berisha, që është lënë jashtë listës nga selektori Challandes.

Me gjithë këto mungesa, Challandes i qëndron besnik formacionit 4-2-3-1. Në portë kthehet lojtari i Gironës, Arianet Muric, në krahun e djathtë luan anëtari i Torinos, Mërgim Vojvoda, ndërsa në krahun e majtë do të rikthehet Kololli. Në qendër të mbrojtjes pritet të jenë Fidan Aliti dhe Ibrahim Dresevic.

Dyshja në mesfushë para mbrojtjes do të përbëhet nga Herolind Shala dhe Valon Berisha, ndërsa treshja më e avancuar do jetë me Arbër Zenelin në krahun e majtë, Florent Hadërgjonaj si mesfushor i djathtë, ndërsa pas sulmuesit kryesor Atdhe Nuhiu do të jetë Bersant Celina si mesfushor ofensiv.

Kosova për këtë takim, ka gati gjithsej 20 lojtarë. /Insajderi.com