Formimi i qeverisë nga LDK-ja – A do të jetë Vjosa Osmane sërish kandidate për kryeministre, tregon Isa Mustafa

Formimi i qeverisë nga LDK-ja – A do të jetë Vjosa Osmane sërish kandidate për kryeministre, tregon Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se janë në pritje të afateve kushtetuese e ligjore që t’iu jepet mandati për formimin e qeverisë, pasi ka marrë miratimin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë që të bëjë koalicion me AAK-në dhe Nismën, shkruan Insajderi.

“Ne si LDK nuk caktojmë afate dhe ditë, janë instituconet që i bëjnë këto dhe duhet të konsultohen me zyrtat ligjore të tyre, por në moment që të vjen oferta të ne, të jemi gati dhe të fillojmë negociatat me partnerët për formimin e qeverisë. Por, ne tani për tani e kemi vetëm pëlqimin e Këshillit të Përgjithshëm që mund të bëjmë koalicion me AAK-në, me Nismën, AKR-në dhe pakicat”, tha Mustafa në Televizionin 21.

Mirëpo, Mustafa nuk ka shpalosur kandidatin që do të jetë mandatar për formimin e Qeverisë pasi ta marrin mandatin.

“Ndërsa, përderisa nuk vjen koha për mandate të ne, nuk do ta hapim qështjen e kandidatit për kryeministër sepse nuk do ta bëjmë askënd kryeministër nominal derisa nuk na ofrohet mandate dhe kemi kuadro mjaftë të sumtë në LDK”, theksoi ai.

Ndërsa, i pyetur nëse do të jetë sërish Vjosa Osmani kandidate, Mustafa, ka lënë të kuptohet se do të jetë dikush tjetër.

“Po, ne asnjë vendim nuk e kemi, Osmani ka qenë kandidate atëherë, tani është kryetare e Kuvendit të Kosovës, ajo ka dhënë deklaratat e saj edhe me prishjen e koalicionit me mocionin e mosbesimit edhe me koaliconet e ardhshme, do të thotë mbetet në vullnetin e saj dhe deklarimet e saj. Por në atë moment që hjapim këtë qështje, do t’i diskutojmë të gjitha opsionet e mundshme”, është shprehur Mustafa, shkruan Insajderi.

Duke parë se Vetëvendosje është vetëm për zgjedhje, Mustafa ka thënë se ata janë për një qeveri të re, e jo zgjedhje edhe për shkak të situatës me pandeminë.

“Mund të jenë zgjedhjet opsion I vetëm për VV-në, por për LDK-në nuk janë sepse konsiderojmë se mund të formohet qeveria e re në këtë kohë, po ashtu kemi pandeminë dhe nuk dihet se kur do të përfundojë kjo situatë që të mbahen zgjedhjet. Po ashtu është disponimi I të gjitha partive në Kuvend që të bëhet një qeveri e re”, deklaroi kreu i LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ia ka dërguar një emër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin ky i fundit ia ka kërkuar për të formuar qeverinë e re, pas rrëzimit të asaj që drejtohet nga Kurti. /Insajderi.com