Fotografi holandez tenton t’u ikë pengmarrësve të ISIS-it, por..

Fotografi holandez tenton t’u ikë pengmarrësve të ISIS-it, por..

Një fotografi holandez, i cili ka qenë duke u mbajtur peng nga militantët e lidhur me Shtetin Islamik në Filipine që nga viti 2012, është vrarë të premten nga kapësit e tij në momentin që u përpoq të ikë gjatë shkëmbimit të zjarrit mes ushtrisë së militantëve.

Ewold Horn, fotograf i natyrës, u qëllua për vdekje nga militantët e grupit “Abu Sayyaf” në kohën kur u përpoq të ikte gjatë luftimeve mes këtij grupi dhe forcave të armatosura të Filipineve. Lajmin e bëri të ditur Divino Rey Pabayo, komandant i task-forcës së ishullit Sulu.

Horn dhe një fotograf tjetër nga Zvicra, i quajtur Lorenzo Vinciguerra, ishin zënë rob kur po lundronin pranë ishullit Tawi Tawi për të shikuar dhe fotografuar zogj para më shumë se shtatë vjetësh. Fotografi zviceran kishte arritur t’iu ikte pengmarrësve në vitin 2014.

Ministri i jashtëm holandez, Stef Blok, tha se autoritetet shtetërore e kanë informuar familjen e fotografit të vrarë.

“Jam i shokuar nga ky rezultat i tmerrshëm. Kam qenë në kontakt me familjen. Do të kërkoj sqarime shtesë për këtë rast nga homologu im në Filipine”, tha ministri Blok.

Në luftimet mes trupave qeveritare dhe militantëve raportohet se janë vrarë gjashtë militantë. Grupi “Abu Sayyaf” është grup i vogël dhe i dhunshëm me bazë në pjesën jugore të Filipineve, ku shumica e banorëve i përkasin besimit katolik, shkruan “Reuters”.