“Fotografia që mungon”, motoja e kampanjës Java e Strehimit Familjar

“Fotografia që mungon”, motoja e kampanjës Java e Strehimit Familjar

“Fotografia që mungon” është motoja e kampanjës “Java e Strehimit Familjar”, që organizohet nga Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP.

Java e strehimit familjar fillon më 26 maj dhe përfundon më 1 qershor, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.

Kjo kampanjë ka për qëllim inkurajimin e familjeve për të iu bërë strehë fëmijëve pa përkujdes prindëror.

Drejtoresha ekzekutive e OFAP-it, Ibadete Krasniqi, në një intervistë me shkrim për Gazetën Online Insajderi, tha se ideja ka ardhur si shkak i nevojës për të iu dalë në ndihmë fëmijëve të braktisur, të keqtrajtuar dhe të lënë pas dore.

“E drejta të rritesh në ambient familjar është një ndër nevojat bazë të çdo fëmije, e sidomos këtyre në nevojë”.

OFAP, sipas Krasniqit, është organizatë me licencë e cila ofron shërbime psiko-sociale për fëmijët në strehim familjar alternativ dhe tek farefisi.

“Ekipi profesional i përbërë nga psikologë, pedagogë, juristë, punëtorë socialë janë vazhdimisht në teren për të qenë afër fëmijëve dhe familjeve strehuese”.

Sipas saj, familjet strehuese kanë nevojë për këshilla, mbështetje emocionale dhe profesionale, si dhe trajnime të vazhdueshme.

“Kurse fëmijët në strehim kanë nevojë për rehabilitim, adaptim në ambient të ri, këshilla për të qenë të sigurt në ambient të ri dhe bashkëpunues drejt zgjidhjes së statutit të tyre, rikthim në familje biologjike ose vendosje në familje të re të përhershme në bazë të vendimit të marrë nga organi i kujdestarisë”.

E pyetur se a ndodh që fëmijët të keqtrajtohen në familjet ku strehohen, Krasniqi tha se nuk kanë hasur në të tilla raste.

“Familjet vullnetarisht lajmërohen për të strehuar fëmijë. Këto familje monitorohen, vlerësohen, vizitohen dhe këshillohen nga stafi profesional dhe organi i kujdestarisë pranë Qendrës për Punë Sociale në çdo komunë”.

Sa i përket financimit, drejtoresha e organizatës pohoi se çdo herë janë në kërkim të fondeve.

“Nuk është aspak e lehtë e sidomos në këtë situatë pandemie. Shpeshherë ekipa profesionale punon edhe pa pagesë deri në sigurim të projekteve”.

Në Kosova aktualisht ka 40 familje strehuese, ndërsa numri i fëmijëve në strehim ndryshon nga muaji në muaj. Deri më tani nga viti 2002 kanë kaluar rreth 200 familje strehuese.

Rreth tre muaj më parë, Insajderi ka sjellur rrëfimin e familjes Kelmendi nga Prizreni, të cilët tash e tetë vite ua hapin dyert e shtëpisë dhe janë bërë ‘fole’ për fëmijë të braktisur nga prindërit biologjikë./Insajderi.com