Fotoja e turpshme që vlen miliona euro

Sami Lushtaku e Bekim Jashari janë armiqësuar për shkak të tenderëve. Nuk po përfitojnë më “Security Code”, në pronësi të familjes Jashari dhe kompania “Rukolli”, në pronësi të mikut të Lushtakut. Deri në tash, është shpërblyer një kompani në pronësi të kushërinjve të deputetit Kamishi dhe një e miqve të familjes së Ramiz Lladrovcit. Por, a do të ndryshojë kjo situatë, në të ardhmen?  Lushtaku e Jashari tashmë janë takuar. Kanë bërë edhe foto bashkërisht, në shtëpinë e Lushtakut.

Fotoja e turpshme që vlen miliona euro

Duke jetuar në zonën më të varfër të vendit, në Drenicë, kemi pasur pak rrëfime suksesi.

Kanë qenë të munguara rrëfimet për sportistë, këngëtarë apo biznesmenë të shkathët.

Ajo që është trajtuar si vlerë dhe sukses njerëzor ka qenë “burrnia”. Gjatë muhabeteve, nëpër odat dhe shtëpitë tona njerëzit janë ndarë në dy grupe: Njerëz që meritojnë të respektohen për shkak të burrërisë dhe ata që nuk meritojnë respektin për shkak se janë të luhatshëm, të pabesë dhe mashtrues.

Kemi besuar dhe ende besojmë që Drenica është në avantazh ndaj zonave tjera të Kosovës. Besojmë që kemi më shumë burra të fjalës.

Por, ky është vetëm besim. Faktet flasin për rritje të njerëzve që nuk e mbajnë fjalën dhe për rritje të respektit për të tillët.

Respekti për të tillët, për ata që nuk e mbajnë fjalën, është rritur aq shumë sa që Ramiz Lladrovci e Bekim Jashari kanë fituar pa balotazh, garat për kryetar të dy komunave të Drenicës.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe në të kaluarën, kur Sami Lushtaku votohej për kryetar të Skenderajt.

Të tre këta “burra”, festonin dje bashkë, në një tavolinë. E festonin 1 majin, një ditë ku në tërë botën protestohet.

Por, ky nuk është problemi kryesor. Nikoqiri i takimit ishte Sami Lushtaku. Bashkë me Presidentin Thaçi e krye parlamentarin Veseli, mysafir i tij ishte edhe Bekim Jashari.

Për mua ishte e çuditshme, kur e pashë Jasharin në një foto me Lushtakun. Në mes të tyre, ishte djali i Sami Lushtakut, Mërgimi.

Mërgimi e kishte vendosur njërën dorë në krahë babait të tij, ndërsa tjetrën në krahë të “armikut” të babait. Qeshej dhe nuk mërzitej se dikush mund ta kritikonte si njeri që nuk është i fjalës. Është deputet dhe nuk mërzitet që dikush e ka cilësuar si tradhtar babain e tij. Kjo nxit dyshimet se sa mërzitet për votimin në parlament të ligjeve të dëmshme për vendin.

Megjithatë, nuk është Mërgimi i vetmi mëkatar në këtë histori. Fajet më të mëdha i ka babai i tij dhe “armiku” i tij.

Bekimi, para dy muajsh, e kishte quajtur tradhtar Samiun. Thoshte se i kishte lënë të vetëm në luftë mixhën dhe babanë e tij, Adem dhe Hamëz Jasharin. Kjo është mohuar nga Lushtaku.  Nuk dihet se a ka ndodhur kjo gjatë luftës.

Por, për një gjë jam i sigurt. Mbi 90 për qind e shqiptarëve në Kosovë janë të gatshëm të mos e takojnë një njeri që i ka tradhtuar Adem e Hamëz Jasharin. Por, pasardhësi i tyre nuk është njeri prej këtyre shqiptarëve.

Bekimi dje kishte të bëmat e Sami Lushtakut dhe kishte shkuar të kënaqej çaj e muhabet me “tradhtuesin” e babait të tij.  Për Lushtakun, në anën tjetër, nuk përbën kurrfarë rëndësie fakti që dikush e ka akuzuar për tradhti.

Të dytë, Bekimi e Samiu, kanë dëshmuar se nuk mërziten shumë për mbajtjen e fjalës së dhënë.

Duket se përmendja e historive të luftës ishte bërë sa për të keqinformuar opinionin. Për tu dukur se po përplasen për diçka të shenjtë-për rreziqet në kohën e luftës.

Por, përplasja e këtyre e dyve është bërë pikërisht për paratë e Komunës së Skenderajt.

Faktet e tregojnë këtë. Prej ardhjes në krye të Skenderajt të Bekim Jasharit, kanë ndodhur dy raste të çuditshme.

Kompania “Security Code” , në pronësi të familjes së Sami Lushtakut ka humbur tenderin për sigurimin fizik të objekteve.

E ka fituar një kompani e miqve të familjes së Ramiz Lladrovcit. Kompania “Rojet e Nderit”, është në pronësi të familjarëve të Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, gruas së heroit Fehmi Lladrovcit.

Nuk është vetëm ky tender që kanë humbur njerëzit e Sami Lushtakut.

Është edhe ai për rikonstruktimin e rrugës Rrezallë-Likovc, në vlerë prej afro gjysmë milioni eurosh. Pa këtë shumë parash ka mbetur kompania “Rukolli”, pronë e Rrustem Rukollit.

Ai nuk ka lënë tender pa fituar gjatë qeverisjes së Skenderajt nga miku i tij, Sami Lushtaku. Madje, dyshohet se ka kërcënuar e frikësuar edhe dëshmitarët në rastin Drenica, për interes të Lushtakut. Ka qenë edhe koordinator i ekipit të mbrojtjes së Lushtakut. Diskualifikimi i kompanisë së tij nga tenderët nuk i pëlqen aspak Lushtakut. Për këtë arsye është revoltuar kundër Bekim Jasharit.

Por, edhe Jashari duket i mençur në lojërat e tenderëve. Fitues në këtë tender prej afro gjysmë milioni eurosh është shpallur kompania “Lirigzoni”, në pronësi të Haki Haxhiut, kushëri i deputetit Bekim Haxhiu-Kamishi. Kjo është arsyeja se pse Kamishi është krahë i djathtë i Jasharit. Po ashtu, tenderët janë arsyeja që Lushtaku e kishte përjashtuar Kamishin nga kryesia e degës së PDK-së, në Skenderaj.

Këto janë dëshmi që Jashari e Lushtaku nuk janë duke u përplasur për të mirën publike, por për të mirën private të tyre. Nuk janë duke u përplasur me ide se si të menaxhohet më mirë buxheti i Skenderajt, por se si ai buxhet të derdhet në llogaritë e kompanive të afërta me ta.

Tashmë, që të dytë na kanë njoftuar se nuk janë burra që e mbajnë fjalën. Por, kjo nuk do të ishte e dëmshme për qytetarët nëse këta dy nuk do të ishin njerëz me ndikim në buxhetin e Komunës-njëri si kryetar i Skenderajt e tjetri si kryetar i PDK-së që ka shumicën parlamentare në komunë. Do të ishin thjeshtë njerëz komikë, të cilët paradite flasin për tradhti në kohë lufte e pasdite dehen nga çaji e alkooli. Por, për shkak të pozicioneve të rëndësishme publike këta dy njerëz janë edhe të dëmshëm për shoqërinë.

Dëmtojnë qytetarët duke keqpërdorur buxhetin e Skënderajt. Për këtë arsye, Lushtaku e Jashari i kanë borxh qytetarëve disa sqarime. Duhet të tregojnë publikisht se pse u zhytën në një zënkë në distancë për muaj të tërë.

Dhe çka është më e rëndësishmja duhet të tregojnë se çfarë marrëveshje për tenderë bënë dje në konakun e Sami Lushtakut. Ajo çfarë ka ndodhur dje, tashmë dihet. Aty dje është bërë një pazar për tenderët komunal. Mbetet mister se sa ajo marrëveshje  do të jetë e dëmshme për qytetarët. Do të zbulohet pas disa muajsh, kur “Rukolli” e “Security Code”, të shpallen fitues në tenderët e Bekim Jasharit.