Një avion charter nga Franca ka rikthyer 30 shtetas shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil politik në këtë shtet.
Ky është avioni i tretë që ulet në Rinas brenda pak ditësh, ndërkohë që një tjeter pritet të vijë pak ditë më vonë.
Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda, e shoqëruar nga drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Aida Hajna ka përcjellë mesazhe të qarta për të gjithë ata që tentojnë të udhëtojnë drejt Francës apo vende të tjera të BE-së me qëllim kërkimin e azilit politik.
Shanset për azil janë të barabarta me zero, ka thënë ajo, njofton Top Channel.
Policia e Shtetit po zbaton një plan masash për forcimin e kontrollit kufitar. Sipas zëvendës ministres Voda, gjithçka është konform ligjit shqiptar për kontrollin kufitar, i përafruar me legjislacionin e BE-së, por edhe konform të gjitha masave të lëvizjes së lirë të shtetasve brenda zonës Schengen.