Franca raporton 141 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Franca raporton 141 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit në Francë janë regjistruar mbi 19 mijë raste të reja me Coronavirus, transmeton Insajderi.

Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në spitale janë regjistruar 141 viktima nga virusi duke e çuar numrin e viktimave në 108.210.

Me 19.050 rastet e reja, numri i rasteve deri më tani ka arritur në 5.917.397, ndërsa norma e rezultateve pozitive e testeve për COVID-19 ka rënë në 4,5 për qind.

Teksa në spitale vazhdojnë trajtimin 21.347 persona, prej të cilëve 3.862 në kujdes intensiv, bëhet e ditur se për herë të parë pas një kohe të gjatë numri i rasteve në kujdesin intensiv ka rënë nën 4 mijë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga 27 dhjetori 2020 e deri më tani numri i personave që kanë marrë vaksinën kundër COVID-19 ka arritur në 21.555.516, ndërsa 9.260.992 prej tyre kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.

Në anën tjetër ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, në një deklaratë tha që nëse nuk shfaqen variante të reja të COVID-19, ata mund të lënë pas pandeminë në nëntor ose dhjetor.

Franca ka kaluar në fazën e dytë të planit me 4 faza që presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar më parë lidhur me lehtësimin e kufizimeve. /Insajderi.com