Ambasada e Francës në Kosovë do të vazhdojë të përkrahë përgatitjet për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për procesin e ri të dialogut me Serbinë, përcjell Insajderi.
Kështu është bërë e ditur nga Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, në takimin që ka zhvilluar të hënën me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
“Përfaqësuesit e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) prezantuan misionet dhe punën e këtij institucioni, i cili së fundmi ka filluar të operojë edhe në Ballkanin Perëndimor. AFD ka për qëllim përkrahjen e Ballkanit Perëndimor në integrimin rajonal dhe në BE, rritjen ekonomike si dhe fuqizimin e shoqërisë përmes zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas Hautbergue, kjo agjenci ka për synim investimin deri në 400 milionë euro në rajon deri në fund të këtij viti”, thuhet në kumtesë.
Tutje, bëhet e ditur se të dy bashkëbiseduesit janë dakorduar se programi qeveritar dhe prioritetet e AFD-së kanë shumë pika të përbashkëta, gjë që krijon mundësi të mëdha bashkëpunimi mes të dy palëve në të ardhmen e afërt./Insajderi.com