Qeveri teknike apo zgjedhje të reja? – ky është qëndrimi i PSD-së

Qeveri teknike apo zgjedhje të reja? – ky është qëndrimi i PSD-së

Deputeti i Partisë Social Demokrate, Frashër Krasniqi, ka thënë se partia e tij nuk është për qeveri teknike por dëshiron të ketë zgjedhje të reja.

Krasniqi në RTV Dukagjini ka thënë se pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, zgjidhja më e mirë do të isht shkuarja në zgjedhje të reja.

“Kosova ka nevojë për një ndryshim të situatës. Ka pasur nevojë edhe më herët për zgjedhje të reja. Jemi kundër çfarëdo lloj shtyrjeje të këtij procesi, por të shohim çka do të ndodh gjatë kësaj jave me disa zhvillime brenda partive të caktuara, por edhe atë që e ka paralajmëruar Presidenti”, tha ai.

Duke folur për koalicionet e mundshme parazgjedhore, Krasniqi ka thënë se ka një mobilizim të madh të strukturave të PSD-së dhe janë anëtarësuar një numër i madh i vullnetarëve që do të punojnë për PSD-në.

“Ne jemi të sigurt që edhe vet nëse shkojmë në zgjedhje, së paku ruajmë 12 deputetët që kemi”, ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se PSD do të bënte koalicion në bazë të afërsive programore, por në të kundërtën do të shkojë e vetme në zgjedhje dhe ai shton se për momentin është duke u përgatitur skenari i dytë-shkuarja e vetme ne zgjedhje.

Deputeti i PSD-së thotë se në parim partia e tij ka program të ndryshëm nga të gjitha partitë politike, por megjithatë ai thotë se dera e koalicionit është e hapur.