Fshati Uglarë me peticion pro bashkimit me Fushë Kosovën, duan shkëputje nga Graçanica

Fshati Uglarë me peticion pro bashkimit me Fushë Kosovën, duan shkëputje nga Graçanica

Edhe banorët e fshatrave Uglarë e Preoc të Gracanicës, e duan bashkimin me Fushë Kosovën, ashtu siç edhe është arritur marrëveshja mes këtyre dy komunave.

Për të iu bashkuar komunës së Fushë Kosovës, banorët shqiptar të fshatrave, Uglarë e Preoc që janë pjesë e Graçanicës, përmes peticionit kanë kërkuar që ministria dhe deputetët në Kuvend, ta aprovojnë marrëveshjen mes dy komunave.

Këtë peticion, e kanë nënshkruar 191 familje shqiptarë të këtyre fshatrave. Ata në peticion kanë dhënë disa arsye.

“Të gjitha shërbimet i kryejmë në Fushë Kosovë, si shkollimi i fëmijëve, kontrollet e të sëmurëve në Ambulanten e qytetit, dhe të gjitha të tjerat.

Ne si banor të Uglarit mbi 95% akoma jemi banor me dokumente nga vendet-komunat nga kemi ardhur vetëm e vetëm duke e prit ditën që t’i bashkohemi Komunës së Fushë Kosovës.

Ky vendbanim, nuk ka rrugë të asfaltuar, nuk ka kanalizim nga ujësjellës, nuk ka ndriçim, nuk ka asgjë sa i përket dorës së shtetit.

Në të kaluarën në vitin 2016 dhe në mars 2018 i’u kemi drejtua Kuvendit Komunal në Graçanicë që të paktën gjërat elementare, ujin, kanalizimin , asfaltimin të na e rregullojnë në vendbanimi tonë porse  asnjëherë nuk janë përgjigjur pozitivisht”, thuhet në peticionin e nënshkruar nga kryefamiljarët.

Ata edhe më parë kishin mirëpritur një vendim mes dyja komunave që përcakton vijën e re administrative, e që disa pjesë të fshatrave Uglarë dhe Preoc do t’i bashkëngjiteshin Fushë Kosovës e që përbëjnë rreth 60 hektarë tokë.

“Besoj që më mirë kishte me qenë si më herët, të jemi me Fushë Kosovë, sepse e kemi më lehtë edhe me dokumentet”, thotë banori i Uglarit, Florim Isufi.

“Me Fushë Kosovë është më mirë, sepse rrugët nuk po i shtrojnë e as ndriçim natën nuk po kemi”, thotë banori tjetër Lirim Bujupi.

“Komunën e Fushë Kosovës e kemi larg 200 metër, ndërsa Graçanicën e kemi lerg 3.5 kilometër. Asnjëherë nuk kanë qenë nga Komuna e Graçanicës të shohim se si po jetojmë”, thotë Sabri Spahiu, banor i Uglarit.

Ndërkohë njohës të pushtetit lokal si dhe Lëvizja Vetëvendosje, e kanë kundërshtuar idenë  shkëputjes së  territorit  në baza etnike./RTV Dukagjini.