Ngec fshesa e Kurtit – nuk e shkarkon menaxhmentin e dënuar të Trepçës në veri

Ngec fshesa e Kurtit – nuk e shkarkon menaxhmentin e dënuar të Trepçës në veri

Bordi dhe menaxhmenti i kombinatit metalurgjik të Trepçës në veri, vazhdon të mbetet i paprekur nga “fshesa” e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

As telashet me ligjin të menaxhmentit të Trepçës – Veri nuk e kanë marrë vëmendjen e Qeverisë Kurti, e cila për dy muaj në pushtet shkarkoi bordet dhe menaxhmentet e ndërmarrjeve kryesore publike në vend – përfshirë këtu edhe bordin dhe menaxhmentin e Trepçës në jug.

Kombinati metalurgjik i Trepçës vazhdon të jetë i ndarë me dy struktura udhëheqëse: në jug dhe në veri. Struktura udhëheqëse e pjesës veriore të Trepçës nuk zbaton vendimet e Qeverisë së Kosovës, as Ligjin për Trepçën.

Dy udhëheqësit e ndërmarrjes publike “Trepça” në veri kanë pasur probleme me ligjin.

Drejtori i Përgjithshëm, Jovan Dimkiq dhe zëvendësi i tij, Dragan Milenkoviq, janë të dënuar për lidhjen e kontratave të paligjshme me Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Dimkiq dhe Milenkoviq janë dënuar me 5 maj të vitit 2019 nga Gjykata e Mitrovicës për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ata i kishin dhuruar Kishës Serbe 17.428 kg plumb të rafinuar në vlerë prej 25.752.44 euro.

Tutje në aktakuzë thuhej se të akuzuarit kishin lidhur kontrata me përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Serbe, Milija Arsoviq, përmes firmës “Dynamic Trade”, të cilën e përfaqësonte Nenad Vuqintijeviq, ndërsa ishte paraparë ta bartin dhe ta përpunojnë në Shabac të Republikës së Serbisë, ku është përpunuar plumbi e pastaj është ndaluar nga Njësia e Doganës në Mitrovicë. /Insajderi.com