Fshihej pas pandemisë për ta shpëtuar lëkurën e tij – Kurti sot emëron anëtarin e tij, shkarkon njeriun e Thaçit

Fshihej pas pandemisë për ta shpëtuar lëkurën e tij – Kurti sot emëron anëtarin e tij, shkarkon njeriun e Thaçit

Mirsad Shkreta, dikur kandidat për deputet, tash anëtar dhe përkrahës i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, është emëruar anëtar i Bordit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Vendimi është marrë të premten në mbledhjen e 17-të të Qeverisë së Kosovës.  

Shkreta, aktualisht Këshilltar i Arben Vitisë, është deleguar në Bord si përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë.

Albin Kurti emëron në Bordin e QKUK-së njeriun e afërt të tij dhe të Arben Vitisë

Teksa Kurti e ka emëruar njeriun e tij në Bord të SHSKUK-së, nuk ka hezituar nga aty ta shkarkojë Naser Ramadanin, kryesuesin e po këtij Bordi, i cili konsiderohet si i afërt me Presidentin Hashim Thaçi.

Ramadani, më 20 mars doli në një konferencë të përbashkët me Presidentin. Nga aty u kujdes për shëndetin e të parit të shtetit.

“Distancën ju kisha lut, sidomos të Presidenti të unë afrohuni sa të doni, te Presidenti dy metra”, ju tha Ramadani, gazetarëve.

Obsesioni ndaj Thaçit, Kurti shkarkon njeriun që doli në konferencë me Presidentin

Gazeta Insajderi, i ka kërkuar arsyet e shkarkimit të Ramadanit nga Zyra e Kryeministrit.

“Përgjigjen në pyetjen tuaj mund ta gjeni pikërisht në arsyetimin e vendimit”.

Bordi Drejtues i SHSKUK-së sipas vendimit të Qeverisë u shkarkua për arsye se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e rëndësishme të përcaktuara me Statutin e SHSKUK-së dhe ka dështuar në arritjen e objektivave.

“Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës gjatë mandatit të këtij bordi drejtues, ka pasur menaxhim jo të mirë të shpenzimeve duke mos i marrë parasysh nevojat dhe prioritetet e SHSKUK-së”, thuhet tuje në arsyetimin e vendimit të Qeverisë.

Në vendimin e shkarkimit të Bordit, Kurti ka emëruar gjashtë anëtarët e ri të Bordit i cili do të funksionalizohet nga e hëna./Insajderi.com