Fundi i një legjende në kombëtare, Cana: Ju rrëfej sekretet e karrierës

Fundi i një legjende në kombëtare, Cana: Ju rrëfej sekretet e karrierës

Një jetë në futboll… një jetë për Ko mbëtaren… Legjendat që kanë bërë historinë e futbollit janë të shumtë dhe kanë pak a shumë të njëjtat karakteristika: Kanë mbetur në zemrat e tifozëve, janë shkaktarë të emocioneve të forta, të rrahjeve të shpeshta të zemrës, të brohoritjeve.

 Njëri prej tyre, që më shumë sesa legjendë e futbollit, është legjendë e Kombëtares shqiptare, të hënën do të shkelmojë për herë të fundit topin dhe do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur pas 388 ndeshjeve si futbollist profesionist në klube dhe 93 përballjeve me fanellën e Kombëtares, si asnjë tjetër deri më tani.

Lorik Cana, në një rrëfim për “Panorama Sport”, cek thuajse të gjithë etapat e jetës së tij futbollistike. Nga trajneri me më shumë kontribut në karrierën e tij, te raporti special me De Biazin.

Nga momenti më i veçantë, tek emocionet e jashtëzakonshme në Europian, pengu në atë kompeticion e deri te njeriu special që do ta shoqërojë në fushë kur ai të zbresë për shkelmimin e fundit të topit si futbollist përballë publikut shqiptar.

Si është jeta e Lorik Canës rreth 15 muaj pasi ka lënë futbollin?

Jeta është e thjeshtë, me familjen, duke kaluar maksimalisht kohë me të. Është mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe vizita më të shpeshta në Kosovë. Kam shfrytëzuar detin që pas Europianit e deri në vitin e ri për të pushuar me familjen. Që nga janari kam nisur projektin e fondacionit “Lorik Cana 5”, i cili ka startuar në Shqipëri dhe shumë shpejt do të ketë degë edhe në Kosovë. Është diçka që më ka marrë pjesën më të madhe të kohës. Gjithashtu, këta 15 muaj i kam shfrytëzuar për të përfunduar edhe dy diplomat e para të UEFA-s për trajner.

Pra, menjëherë si trajner?

Jo, nuk e kam plan shumë të shpejtë që të bëhem trajner, por dua t’i zotëroj. Pak a shumë e tillë ka qenë kjo periudhë për mua, me disa udhëtime të ndryshme nëpër disa vende të botës.

A jeni penduar që e mbyllët kaq shpejt karrierën dhe a do të donit që të luanit edhe pak kohë, apo rrethanat ishin aq të forta sa e mundën dëshirën?

Arsyet janë shumë të thjeshta dhe kryesorja ishte që për probleme shëndetësore m’u desh që të mbyllja karrierën më herët. Nuk e kisha menduar që të ndodhte në moshën 33-vjeçare, pasi besoja që mund të luaja edhe dy apo tre vite, të paktën fizikisht kisha akoma mundësi, pavarësisht se nisa që t’i ndiej vitet.

Kisha regjim dhe përkushtim në punë si dhe një formë fizike, e cila më lejonte të luaja deri në moshën 35-36 vjeç. E mbylla me 33 thjesht për arsyen se futbolli i niveleve të larta nisi të bëhet i rrezikshëm për shëndetin, i cili është mbi të gjitha, prandaj e mora këtë vendim.

Keni bërë njoftimin se do të dilni për herë të fundit para tifozëve në fushë. Çfarë ndjesie keni përpara saj?

Në fakt, dëshira ka qenë që të bëhet më herët. Fillimisht ideja ishte që të bëhet në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, për faktin se ceremonia e lamtumirës bëhet afër kohës kur e lë futbollin. Tani ka kaluar shumë kohë. Dëshira ishte që të bëhej gjatë një miqësoreje, një takim i posaçëm i përfaqësueses që të isha disa minuta në fushë duke luajtur herën e fundit që do të lija futbollin.

Mirëpo, kompeticioni, planet dhe programi nuk e mundësuan diçka të tillë. E morëm vendimin, maksimumi brenda një muaji për ta organizuar duke folur me familjen, me federatën dhe me miqtë. Është vonë, por duhet të bëj një përshëndetje me njerëzit në ndeshjen e fundit që do të luhet në vendin tonë.

Është një kualifikuese kundër Italisë, e cila do të ketë shumë njerëz në stadium dhe menduam që më mirë ta bëjmë tani, sesa mos ta bëjmë fare. Kështu që ishte momenti i fundit, pasi më vonë se kaq nuk mund ta shtynim dot, duke qenë se një lamtumirë pas dy vitesh që kam lënë futbollin, nuk ka kuptim. Madje, edhe me kaq në 15 apo 16 muaj, jemi vonë. Preferoj ta bëj tani se më vonë nuk ka më kuptim.

Kjo solli edhe “ngacmimin” e mediave italiane që u shprehën se mund të riktheheni te Lacio…

(Qesh) Po, pati edhe të tilla…

Pas njoftimit, grupimi “Tifozat Kuq e Zi” bënë një letër të hapur ku ju kërkuan ta shtynit për shkak të bojkotit të tyre. A keni biseduar me ta?

Patjetër që kam komunikuar. Arsyeja pse nuk u jam drejtuar me letër publike është fakti që i njoh ata djem dhe kam preferuar të sqarohem vetë me ta pse është vendosur kjo ndeshje dhe pse nuk mund të shtyhet, si dhe pse ky vendim është marrë kaq vonë. Nuk është se e kemi ditur para disa muajsh që do të bëjmë këtë ceremoni. Jam sqaruar me ta për arsyet pse u vendos në moment të fundit për faktin që kjo ceremoni, ose mund të bëhej tani, ose nuk mund të bëhej më fare.

Ndeshja e fundit me shumë njerëz në stadium ishte kjo kualifikuese me Italinë, pasi në nëntor nuk dihet në do të kemi apo jo miqësore, me cilin kundërshtar dhe nëse do të jetë brenda apo jashtë vendit tonë. Ndeshja e madhe me Italinë është i vetmi organizim apo manifestim ku mund të bëhet lamtumira. Arsyeja pse nuk mund të shtyhet është vetëm për faktin se edhe 15 muaj pasi e kam lënë futbollin, është shumë vonë e jo më ta shtyjmë për vitin e ardhshëm që nuk ka më sens.

Si ishte reagimi i tyre?

Sigurisht ata shprehën keqardhjen që kanë vendosur brenda grupimit që të vazhdojnë me qëndrimin që kanë. Është absolutisht e drejta e tyre. Unë ua kam thënë me mirënjohje që të gjithë atë mbështetje që kemi pasur prej tyre, madje unë e ndiej vetë veten “Tifoz Kuq e Zi”.

Jam i pari që do të doja të ishin në stadium, pasi edhe në ndeshje, ku nuk ka pasur gati asnjë tifoz, ata kanë qenë prezent në stadium duke na mbështetur dhe duke përfaqësuar vlerat dhe dëshirën e çdo shqiptari. Ata kanë pozicionin e tyre. Unë u mundova që t’ua ndërroj mendjen dhe që nuk do të jetë e njëjta pa ata, mirëpo e mirëkuptoj pozicionin e tyre dhe absolutisht që vlerësimi për ta nuk do të ndryshojë. Mendimi im për ta nuk do të lëvizë fare.

Shumë vite karrierë në Itali, por edhe një ndeshje miqësore me Kombëtaren në Itali. Çfarë do jepnit për të qenë në fushë në Shkodër në ndeshje zyrtare?

Patjetër që do të kishte qenë shumë bukur (qesh). Vendet ku luan në karrierë dhe ku ke bërë emër janë gjithmonë pak më të veçantë. Sigurisht që ndeshja më e vështirë për të mos qenë prezent në fushë ishte ajo kundër Francës në Europian. Edhe kjo, një ndeshje kualifikuese, kundër një vendi që kam luajtur disa vite, madje ku kam marrë edhe bashkëshorten, është simbolike mes dy vendeve dhe besoj që do të jetë një mbrëmje e mrekullueshme.

Si e shihni Shqipërinë përpara kësaj ndeshjeje?

Do të jetë një ndeshje ku përfaqësuesja do të mundohet që ta mbyllë sa më mirë edicionin dhe të vazhdojë që të rrisë punën dhe të bëjë bazat për kualifikueset e ardhshme. Gjithashtu, një Itali, e cila nuk dihet ende si do i mbyllë kualifikueset dhe që do të kërkojë të sigurojë vendin e dytë në Shqipëri. Për mua, kjo e bën shumë interesante si ndeshje dhe besoj që ka rivalitet pozitiv dhe me vlera pozitive mes dy vendeve. Ne besoj që kemi mundësi që në atë ndeshje të fitojmë.

Deklaratë euforike ngaqë është hera e fundit që do zbrisni në fushë, apo ka realisht shanse Shqipëria që t’ia dalë të fitojë?

Besoj që Shqipëria ka arritur të fitojë kundër kombëtareve më të forta sesa Italia dhe nuk shoh arsye pse në vendin e saj, me një formë të duhur, lojën e duhur dhe me mbështetjen e njerëzve, të mos e arrijë.

Si e keni parë Kombëtaren kohët e fundit, çfarë po bën mirë dhe ku po çalon?

Në aspektin teknik, besoj që Kombëtarja ka disa baza dhe siguri, e cila e bën një kombëtare të mirë në skenën europiane. Këtë e ka demonstruar këto katër vitet e fundit, ku ka treguar se është një përfaqësuese që ka bazë solide dhe mbetet kundërshtar i fortë.

Mirëpo, deri edicionin e kaluar dhe në miqësoren kundër Luksemburgut, gjërat nuk shkonin siç ishte planifikuar, sidomos në aspektin e rezultateve. Por ekipi tregoi shumë karakter dhe kuptoi që ka me të vërtetë detyrime dhe kërkesa e më pas bëri një kthesë të jashtëzakonshme në Izrael duke treguar disa vlera, duke u bazuar në forcat e saj dhe duke luajtur të gjithë me të njëjtin mentalitet.

Si e konsideroni këtë pozicion?

Duke parë shortin, them që ishte një arritje e mirë. Normalisht që objektivi ishin dy vendet e para, por duke parë Spanjën favorite, mbetej një opsion i vogël për të kapur Italinë. Mirëpo, në disa ndeshje kyçe nuk kemi pasur edhe fatin edhe ndoshta cilësinë e duhur për të fituar. Kjo bën që skuadra të gjejë vendin në një pozicion të mirë që do të mundohemi ta ruajmë deri në fund.

Duke qenë se e njihni mirë shkollën italiane, si e keni parë Panuçin në këto tri ndeshje të para?

Shkolla italiane e trajningut është ndër më të mirat në botë dhe jo rastësisht ka trajnerë italianë që drejtojnë klube brenda dhe jashtë Italisë. Kemi pasur një eksperiencë shumë të mirë me Xhanin, i cili ka ndikuar që Shqipëria të bëjë disa hapa përpara dhe të arrijë për herë të parë që të kualifikohet.

Më tej, i është besuar një trajneri italian, i cili është në nisjen e karrierës së tij dhe besoj që e ka marrë me shumë dëshirë dhe me shumë zemër punën me Kombëtaren. Absolutisht, duket në mënyrën se si flet, se si punon dhe që e ka me shumë dëshirë që të arrijë të tregojë veten nëpërmjet Shqipërisë.

Duke parë që ndeshjet e para ishin të tilla që fillimisht ai nuk e njihte ekipin dhe mundohej që të bënte një ide sa më të mirë të grupit duke e kryer detyrën sa më mirë dhe duke fituar kundër Lihtenshtejnit. Kundër Maqedonisë nuk kam qenë në stadium, por e kam ndjekur në televizion.

Aty trajneri duhet të tregojë se në çfarë mënyre ai mundet që të ndikojë sa më mirë në skuadër në momente të vështira gjatë ndeshjes, por edhe me një rezultat që them se na mundëson të rrimë në vendin e tretë. Gjithsesi, çdo ndeshje ka të mira dhe gjëra për të përmirësuar, por është detyra e tij që të marrë sa më shumë informacione dhe të përgjigjet sa më mirë gjatë ndeshjeve.

Ama, Panuçi nuk pati asnjë miqësore…

Sipas meje, ka pasur fatin dhe mundësinë që, në bazë të skuadrave që ka grupi, të ketë në dorë katër ndeshje nga më të ndryshmet. Nga një kundërshtar i nivelit të ulët që ti e luan në shtëpi dhe e fiton, më pas një kundërshtar që synon të të marrë vendin e tretë dhe lufton me ty në një përballje me një presion disi jashtë futbollit, e cila është diçka e re për të.

Gjithashtu, dy ndeshje me kundërshtarë të mëdhenj si Spanja dhe Italia. Besoj që këto katër ndeshje, ky cikël si dhe ndonjë miqësore në të ardhmen do ta ndihmojnë shumë për të qenë gati për kualifikueset e Europianit.

Lorik, cilin veçoni si momentin më të bukur në karrierë?

Momenti më i bukur në karrierë patjetër që është kur u kualifikuam me Shqipërinë në Europian. Sidomos pas një rrugëtimi të gjatë dhe pas një faze kualifikueses të Europianit që ishte me emocione të ndryshme, të jashtëzakonshme plot me hidhërime dhe momente të veçanta.

Kur u kualifikuam në Armeni, ishte diçka speciale në karrierë. Patjetër që kur mbërrin në Europian është ajo për çfarë ke luftuar dhe është me të vërtetë një arritje e jashtëzakonshme. Ka pasur shumë momente, por këto me Kombëtaren i veçoj, pasi çdo ndjenjë dhe çdo emocion është i shumëfishuar.

Cilën veçoni, Armeninë (ndeshja që na kualifikoi) apo Rumaninë (fitorja e parë në Europian)?

Besoj që të dyja janë të veçanta. Armenia ka qenë fryti dhe arritja e një ëndrre e të gjithë lojtarëve. Kanë qenë dy emocione të ndryshme, pasi e para ka qenë një shpërthim emocionesh të vite e vite pune dhe ëndrre për t’ua realizuar njerëzve mundësinë për të parë vendin e tyre atje. Kur e di që e ke realizuar, në fillim është më e vështirë sa u përket emocioneve dhe prandaj ke ndjenja më të forta.

Me Rumaninë ka qenë më shumë një gëzim dhe duke e shijuar atë që arritëm. Është njësoj sikur një person, pas një pune shumë të madhe, në fund e shijon. Ajo ishte një festë me gati 30 mijë shqiptarë në stadium, si një skenar, si një ëndërr e shkruar. Fatkeqësisht, nuk na mjaftoi që t’i kalonim grupet, ku mund edhe të kishim pretenduar, por besoj se e kemi bërë një punë të mirë.

Kë shihni si pasardhësin tuaj në Kombëtare?

Çdo skuadër apo Kombëtare gjen gjithmonë lojtarë që marrin përsipër një lloj përgjegjësie. Në përfaqësuese janë disa lojtarë që kanë luajtur shumë vite me mua dhe në vitet e fundit, Ansi e ka trashëguar një rol lideri bashkë me lojtarët e tjerë si Mërgimi. Etriti ka nisur të marrë një pjekuri.

Ka edhe lojtarë të tjerë që kanë pak më tepër moshë dhe eksperiencë si Migjeni, por Elseidi do të jetë një referencë për Kombëtaren për shumë vite, duke parë se luan me një top klub. Them që janë të siguruar. Besoj se Ansi ka bërë një detyrë të jashtëzakonshme, një kontribut dhe besoj që po vjen drejt fundit, nëse nuk do të jetë tani pas Europianit.

Pastaj do të ketë të tjerë dhe është Mërgimi, i cili mund të marrë përsipër. Ka qetësinë e duhur, ka përvojën për të bërë mirë. Më pas, për shumë e shumë vite besoj që do të jetë Hysaj që do të marrë përsipër këtë detyrë. Vitet e ardhshme do t’i japin një pjekuri që më pas besoj do të jetë momenti i duhur për të ecur përpara.

Kë trajner veçon Lorik Cana gjatë karrierës?

Do të mundohem të gjej nga një në dy drejtimet. Trajneri në klub, i cili ka bërë shumë, kam pasur një lidhje të fortë në përvojë dhe eksperiencë ka qenë Erik Gerets, trajneri belg kur isha te Olimpik Marseja. Në Kombëtare ka qenë Xhani, pasi, përveç raportit, është kurorëzuar edhe me një arritje të madhe. Këta janë dy trajnerët që i veçoj në karrierën time.

Kur do ta shohim sërish Lorik Canën në Kombëtare?

Canën e shohim gjithmonë në Kombëtare, mundohem që ta ndjek gjithmonë atë (qesh).

Lorik, po ma dribloni pyetjen, jo si tifoz…

Për të pasur një rol, për momentin nuk është absolutisht në planet e mia. Nëse një ditë do të vendos, do të kem dëshirë që të bëhem trajner i përfaqësueses dhe gjithashtu mundësinë që ta drejtoj një Kombëtare, do ta bëj me gjithë qejf.

Mirëpo, ajo do të vijë vetëm nga dëshira ime dhe nuk do të vijë nëse mendohet se Loriku do të vijë. Jo, Loriku duhet ta ketë dëshirë vetë kur të mendojë se është i aftë për ta bërë diçka të tillë. Vetëm në këtë rast do të kandidoj, por për momentin nuk e kam as dëshirën dhe as nuk mendoj se jam mjaftueshëm i kualifikuar.

Krahas organizimit që do të ketë në Shkodër, kush do jetë i ftuari special i Canës?

Do të jem me familjarët e mi, por nuk do të mund të vijnë të gjithë duke qenë se disa janë në Francë dhe janë me fëmijë apo motra që është në shkollë. Do të vijnë shokët e mi nga Franca, nga Italia, nga Kosova. Do të kem familjen time afër.

Ndonjë detaj më shumë rreth ceremonisë?

Do të kem djalin tim dhe besoj që do të dal për t’i përshëndetur njerëzit me të.

Marrë nga Panorama-sport