Fushata e heshtur e kryeministrit

Deklaroi se gjatë orarit të punës nuk do të dalë në fushatë zgjedhore për ta përkrahur partinë e tij. Ai tha se këtë do ta bëjë tek dikur pasdite nëse ka ndonjë aktivitet për zgjedhjet lokale. Por, fushata e tij e heshtur vazhdon.

Fushata e heshtur e kryeministrit

Më 21 shtator nisi zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor të këtij viti.

Që nga ajo ditë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vjen nga partia AAK, ka zhvilluar takime të shpeshta me zyrtarë të ndryshëm dhe shoqata, madje edhe takime në terren.

Ndonëse këto mund të duken si takime normale për një kryeministër që sapo ka marrë detyrën, por, potencialisht, ato mund të ndikojnë edhe në bindjen e njerëzve për ta votuar partinë e tij.

Qysh në ditën e parë zyrtare të fushatës zgjedhore për zgjedhje lokale, kryeministri Haradinaj zgjodhi ta vizitojë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Shëndetësia njihet si sektori me më së shumti probleme.

Nga oborri i QKUK-së kryeministri dha një premtim – tha se në qeverisjen e tij shëndetësia do të jetë prioritet. Madje, personelin shëndetësor e cilësoi si ‘heronj’.

“Sot, besoj se e kemi arritur një dakordim që do të ballafaqohemi me këto defekte së bashku”, kishte thënë ndër tjera kryeministri Haradinaj.

Në ditën e dytë të fushatës, kryeministri nuk u pa shumë i angazhuar në takime tilla. Agjenda e tij ishte më shumë qeveritare. Kishte një tryezë të rregullt për reformat evropiane, më pas edhe mbledhjen e Qeverisë, dhe gjithashtu, një takim me Përfaqësuesin Special për Negocim të Kornizës Financiare Shumëvjeçare të BE-së dhe Drejtor për Politikat e BE-së në Ministrinë e Jashtme Gjermane, ambasadorin Thomas Ossowski.

Dita e tretë e fushatës ishte më e bujshme – takoi kryetarin e tifozërisë “Dardanët”, Lulzim Berisha me bashkëpunëtorë.

Pasi u njoftua me kërkesat e tifozerisë “Dardanët”, kryeministri kishte një zotim për ta. U tha se do t’i mbështesë ata në misionin e tyre për ta ngritur lartë imazhin e vendit.

Të nesërmen kryeministri kishte edhe një takim të rëndësishëm – kësaj here priti kryetarin e delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në luftën e fundit, Ibrahim Makollin.

Kryeministri u interesuar që të marrë informacionet e fundit, në mënyrë që kjo çështje ta ketë epilogun e vet.

Ai u zotua që, për një javë t’u jepet zgjidhje këtyre aspekteve, në bashkëpunim me të gjitha palët e përfshira në këtë proces, raporton Insajderi.

Në po të njëjtën ditë, kryeministri priti kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin me bashkëpunëtorët.

Por, edhe pse Vokrri kërkoi nga kryeministri, gjegjësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe ajo e Financave, në përshpejtimin e mbarimit të punëve në stadiumin e KF “Prishtina”, kryeministri nuk doli me ndonjë zotim. Të paktën nuk është përmendur në njoftimin zyrtar të Qeverisë pas takimit.

Kjo ditë solli edhe një takim tjetër për kryeministrin – atë me kryetarin e Sindikatës  së Policisë së Kosovës, Shaban Tashollin.

Pasi u njoftua me sfidat që e presin Policinë e Kosovës, kryeministri Haradinaj shfaqi interesim për avancimin e kushteve të punës dhe atyre jetësore të policëve, siç është nivelizimi i pagave sipas kategorive.

Më 25 shtator kryeministri Ramush Haradinaj, vizitoi Policinë e Kosovës, të cilin e priti drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni.

Prej aty ai premtoi luftë të pakompromis për narkotikët që fusin droga nëpër shkolla.

“Besoj që është një pajtim i të gjithë neve që s’do të mundet kush që në Kosovë t’iu ofroj fëmijëve drogë, s’do të mundet kush të shtijë dorë në shkollat tona, s’do të mundet kush të rrezikojë fëmijët tanë. Për këtë besoj që kemi dakordim të gjithë ne”, tha kryeministri.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në këtë ditë pari edhe një takim tjetër – mori pjesë në konferencën për shënimin e Ditës dhe Javës Ndërkombëtare për Personat e Shurdhër.

Ai u zotua se kjo qeverisje do të shquhet për veprim, për planifikim të politikave, strategjive, ligjeve, marrje të vendime, por edhe zbatim të tyre.

“Nëse Qeveria e Kosovës ka marr vendim ose ka nisur veprime që iu dedikohen personave me aftësi të kufizuar, nuk guxojnë të mbesin në gjysmë të rrugës, por duhet të mbërrijnë deri te pala”, tha ndër tjera kryeministri gjatë kësaj konference.

Këto janë vetëm takimet zyrtare të kryeministrit, pa i llogaritur edhe ato të fushatës zgjedhore./Insajderi.com