Fushëbetejë në Hong Kong, policia gjuan gaz lotsjellës, protestuesit qëllojnë me shigjeta

Protestat kundër qeverisë tashmë katër ditë po i paralizojnë disa pjesë të Hong Kongut. Është bllokuar edhe autostrada dhe lidhjet tjera trafiku me qendrën financiare të Hong Kongut, dhe për shkak të përshkallëzimit të dhunës, zyrtarët paralajmërojnë mbylljen e shkollave dhe të universiteteve. Policia ka gjuajtur gaz lotsjellës në përpjekje ta debllokojë tunelin i cili e lidh ishullin Hong Kong me kontinentin. Demonstruesit po mbledhin armë improvizuese, duke përfshirë harqet dhe shigjetat.

Fushëbetejë në Hong Kong, policia gjuan gaz lotsjellës, protestuesit qëllojnë me shigjeta

Trazirat në Hong Kong po zgjasin tashmë pesë muaj, dhe në javën e fundit situata është përshkallëzuar në protesta të dhunshme.

Protestuesit kanë djegur veturat dhe ndërtesat, kanë gjuajtur koktej Mollotovi nëpër stacione policore dhe trena, kanë vandalizuar qendrat kryesore tregtare.

Pjesëmarrësit e protestës të veshur në të zeza dhe studentët e universiteteve të Hong Kongut i kanë bllokuar rrugët kryesore, duke përfshirë edhe tunelin “Cross-Harbor” i cili e lidh ishullin Hong Kong me rajonin Kaulun, si dhe autostradën në mes Kaulunit dhe Territoreve të Reja.

Policia sot herët në mëngjes ka gjuajtur gaz lotsjellës, duke u përpjekur që ta debllokojë tunelin. Mijëra studentë janë barrikaduar nëpër kampuse në disa universitete, duke improvizuar fortifikatat, duke i bllokuar hyrjet dhe duke u mbledhur nëpër rrugët e afërta.

Ata po përgatiten për përleshje me policinë, po mbledhin rezerva të ushqimit, por edhe tulla, koktej Mollotovi dhe armë të tjera të improvizuara. Policia pretendon se protestuesit nëpër përleshje kanë përdorur edhe harqet dhe shigjetat./Insajderi.com.