Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave, i ka filluar dje përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2021 kundër Turqisë, ndërsa sot ata kanë mbajtur konferencën për shtyp para kësaj ndeshje.
Në këtë konferencë u paraqiten përzgjedhësja Afërdita Fazlija, kapitenia Valentina Limani dhe futbollistja Erëleta Memeti.
Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija në këtë konferencë u shpreh optimiste para kësaj ndeshje, duke theksuar se përgatitje janë duke shkuar në mënyrën e duhur dhe shpreson që vashat e saj të arrijnë rezultat pozitiv.
Kapitenia e kombëtares së Kosovës, Valentina Limani para kësaj ndeshje u shpreh se Kosova ka gjasat e veta për një rezultat pozitiv në këtë ndeshje dhe ajo do të ndodhë nëse i kryejnë të gjitha detyrat e dhëna nga përzgjedhësja Fazlija.
Ndërsa futbollistja tjetër e Kosovës, Erëleta Memeti tha se kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë për Kosovën, por do të japin maksimumin e tyre që të dalin me tri pikë nga kjo ndeshje.
Kosova bën pjesë në Grupin A, së bashku me Holandën, Rusinë, Turqinë, Slloveninë dhe Estoninë dhe shpreson ta nisë mbarë këtë cikël kualifikimesh, i cili për herë të parë vjen me format të ndeshjeve vajtje-ardhje.
Ndërkohë që ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet të premten me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.