Gani Dreshaj: Të dielën kërkoj votën tuaj për shumë arsye

Gani Dreshaj: Të dielën kërkoj votën tuaj për shumë arsye

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Istogut, Gani Dreshaj ka kërkuar votën e qytetarëve të Istogut, dhe ka thënë që meriton votën e tyre për shumë arsye.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Dreshaj është shprehur i bindur për fitoren në Istog.

“Të nderuar istogas, ju nga qyteti i Istogut, të dielën kërkojë votën tuaj për shumë arsye. Pa dashur të sulmoi kundërshtarët, jam i bindur thellë se edhe ju jeni të mendimit se këta njerëz që udhëheqin deri të dielën janë bërë monotonë, jo me praninë e tyre, por me punën që kanë bërë. Jam i bindur se edhe ju nuk do të lejoni që edhe 4 vite të tjera të përfitojnë në kurrizin tuaj disa individë që po krijojnë pasuri të madhe, ndërsa mijëra të tjerë përballen me vështirësitë e krizës ekonomike, me papunësinë dhe nëpërkëmbjet që çdo ditë iu bëhen në secilin institucion, në secilën sferë”.

Ai ndër të tjerash tha që ka lënë edhe bizneset e tij për qytetarët e Istogut, që ata të kenë një jetë më të mirë.

“Të dashur istogas, më besoni se nuk do ta kisha lënë Gjermaninë, biznesin tim për asnjë arsye të vetme, por do ta lë për ju, për Istogun më të mirë, më të zhvilluar, për Istogun me mijëra të punësuar. Bashkëvendas të ndershëm e punëtorë, ju siguroj se premtimet e mija do të jenë realitet, se do të jem kryetar i të gjithëve, se do të jem 7 ditë në javë për ju, e 24 orë në ditë për nevojat e juaja. Premtimet e mija për punësim nuk janë të natyrës elektorale, unë Gani Dreshaj ju premtoj se nënat e motrat tona nuk do të jenë më vetëm amvise shtëpiake, ju do të jeni zonjat dhe zonjushat e punës në fabrikat që do ta hapim së shpejti”, ka thënë Dreshaj. /Insajderi.com