Gashi-Kurti: Gjersa po të ngritën struktura paralele, ti ku je?

Gashi-Kurti: Gjersa po të ngritën struktura paralele, ti ku je?

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pas vënies së gurthemelit të Universitetit paralel të Prishtinës në veri të vendit.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës mosreagim dhe “zero përgjegjësi”. Po ashtu ka pyetur kryeministrin Albin Kurti “ku je gjersa po të ngritën struktura paralele”.

Gashi po ashtu e ka cilësuar Kurtin si “politikan me fjalës humë e vepra pak”.

“’Na ishte seç na ishte një politikan’, i cili kishte fjalë shumë e një qëllim, votat. Tani asnjë fjalë, përgjegjësi assesi, e reagim kurrsesi”.

“Kryeministër, ku je? Gjersa po të ngritën struktura paralele, ti ku je? Serbia po investon mbi 6 milion euro, për ndërtimin e objektit prej 10.575 metra katrorë, të të ashtuquajturit ‘Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë’”, ka shkruar shefi i deputetëve të LDK-së në Facebook.

Projekti për universitetin do të kushtojë mbi 6 milionë euro dhe është investim i shtetit të Serbisë.

Mosreagimi i Qeverisë së Kosovës ka ngjallur reagime të shumta nga opozita. Përveç Gashit, kanë reaguar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit e ka konsideruar kapitullim të Kurtit lejimin e vënies së gurthemelit.