Gazetari shqiptar ‘shpërthen’ ndaj këngëtarit që iu ‘vërsul’ Ermal Fejzullahut

Gazetari shqiptar ‘shpërthen’ ndaj këngëtarit që iu ‘vërsul’ Ermal Fejzullahut

Morti që na zuri na la pa fjalë. Një komb i tërë u pushtua nga zia, solidariteti, dhimbja por më së shumti nga dashuria. M’u kujtuan vargjet e famshme të Scorpions “Love is the Answer.

Autokolona e ushtrisë së Kosovës qysh në nëntë të mëngjesit më dha të parin emocion. Gjithë ajo valë dashurie e ardhur përmes Rrugës së Kombit kishte aq energji pozitive sa shpresoj të kenë zbutur edhe më xanxarët ndër ne.

Vetë Rruga e Kombit m’u duk si personazh i gjallë, si aleat i kësaj dashurie….Kur u zgjuan ata njerez, kur u bënë gati, kur i morën pajisjet, matrapikët, qentë gjurmues, bombolat dhe kur u nisën! Fantastike!

Lajmet për pallatet dhe ndërtesat e shembura vinin si mynxyrë në gjendjen traumatike që po përjetonim! Vala e tërmeteve nuk pushonte, Durrësi, Tirana, Mamurrësi dhe Laçi ishte qendra e botës ato momente. Traumat e fëmijëve ishte më e tmerrshmja.

Një 10 vjeçar dridhej si purtekë nga të ftohtit por refuzonte me këmbëngulje të kthehej në shtëpi. Paniku na mbërtheu të gjithëve, fëmijë, gra, burra e pleq. Të gjithë vërshuam si në natën e apokalipsit, rrugët që të çonin larg Tiranës ishin përplot makina. Përveç asaj të Durrësit…Vatra më e sigurtë e njeriut u kthye në vendin më të pasigurtë në botë.

Ka shumë për të shkruar në ditë të tilla, përplot histori personale që ta këpusin shpirtin. Janë bërë të njohura nga televizionet e kronikat e pafundme. Por ajo që dua të përmend në këtë shkrim janë predikuesit e moralit, personazhet publikë që kritikojnë dhuruesit.

Frojdi thotë që dy janë impulset kryesore të njeriut, ai seksual dhe protagonizmi, fama, dëshira për vëmendje. Nuk ka gjë më organike dhe motiv më të fortë për ekzistencën e njeriut sesa dëshira për vëmendje. Këtë e thotë Frojdi, jo unë. Dale Carnegie, një shkrimtar best seller që citon Frojdin përmend rastin e një të dënuari me vdekje i cili ndërkohë që pret vendimin është shumë i interesuar nëse gazetat kryesore të botës e kanë fotografinë e tij. Prespektiva e errët e vdekjes mundet nga dëshira për të qenë i famshëm, për të parë foton e vet përkrah artistëve të filmave, politikanëve apo këngëtarëve. Instikti i protagonizmit nuk është ves e as virtyt. Ai është instikt e për pasojë të gjithë duan ta plotësojnë, duan të ndihen të rëndësishëm. Mënyra se si ata dëshirojnë të bëhen të rëndësishëm i dallon ata nga njëri tjetri. Një kriminel dhe një milioner zgjedhin rrugë të ndryshme, të dy me të njëjtën arsye: Kënaqjen e egos së tyre. Rokfelleri e përmbush ambicien e tij duke ndërtuar spital për të varfrit ndërsa Dilinxheri duke vrarë e vjedhur. Në mes tyre qëndrojnë dy kategori. 1. Ata që e bëjnë bamirësinë fshehur, tinëz dhe 2. Ata që nuk e bëjnë fare. Unë dyshoj që ata të cilët e bëjnë bamirësinë fshehur egzistojnë. Është në kundërshtim më natyrën njerëzore siç e ka shpjeguar Frojdi. Nëse e bëjnë, e bëjnë me shumë sforco dhe me shpresën që ky kontribut do të zbulohet ndonjëherë. Pasi edhe ata janë njerëz, e duan të bëhet e njohur se sa të mirë e bujarë janë…

E bëra gjithë këtë shpjegim për t’u marrë me të dytët, me kategorinë e kalorsiakëve të moralit, këtyre që nuk bëjnë asgjë dhe kritikojnë të tjerët që e bëjnë publik kontributin. Sipas një statusi të Genc Salihit, një këngëtar i njohur në Kosovë:

“Më falni që po e bëj këtë koment, po nuk po muj pa e shprehe gërdinë me shumë njerëz që po e shfrytëzojnë këtë situatë tragjike për me reklamu veten. Nëse një këngëtar i njohur i paska donu 100 mijë Euro, sa pret ai që i kthehen prej këtij investimi kaq publik? Sa saktë? Ekziston një kufi njerëz! Kufiri i marres! Përvjelni manget me ndihmu jo me bo selfie!

Ky status i drejtohej një kolegu që kishte deklaruar se i dhuron 100 mijë Euro për të dëmtuarit, fap, dalin këta, kalorësit e moralit, që të bëjnë qerpaze! Ishte statusi më i neveritshëm që kam lexuar ndonjëherë!

Genc i dashur! “Dëshira për reklamë” është instikt jo ves. Si seksi Genc. Nëse Rokfeleri e bëri spitalin në Kinë për të varfrit kishte qëllim reklamën e emrit të tij, jo të varfrit e Pekinit. Të gjithë e mirëpritën sepse përfituesit ishin populli anipse Rokfeleri nuk i njihte edhe nuk e bëri për ta. Të gjithë bamirësit e mëdhenj e bëjnë për reklamë. Çfarë do të thoje sikur Ermali, fjala vjen të dhuronte jo 100 mijë por 170 milionë dollarë që mund të jetë kostoja materiale e dëmtimit? Sigurisht që e ka bërë për reklamë por të gjithë

Deklarata të tilla nga nga Facebooku tregojnë komplekse xhelozie të forta xhelozie! Unë nuk e di a i ka dhënë Ermal Fejzullahu ato para apo është vetëm deklaratë. Por e pashë që ty të kishte shkatërruar. Mos lër që urrejtja për kolegun të ndërhyjë në situata të tilla dhembjeje e dashurie. Duaje edhe ti Ermalin sot. Si unë që nuk e pëlqej (turp të them por nuk ia di këngët) por sot i them: Faleminderit nga zemra!