fbpx

Geci: Kur u largova nga LDK, Thaçi më tha zgjidhe cilin numër të duash në PDK

Geci: Kur u largova nga LDK, Thaçi më tha zgjidhe cilin numër të duash në PDK

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Gani Geci, ka thënë se ai asnjëherë nuk e ka ndihmuar Hashim Thaçin në rrëzimin e LDK-së nga pushteti.

Geci, në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit ka thënë se pas largimit të tij nga LDK në vitin 2014, Hashim Thaçi, i kishte ofruar anëtarësim në PDK dhe futjen e tij në listën për kandidatë për deputetë.

“Kam qenë në një odë,…, kur më ka ardhur një telefonatë nga një numër i panjohur. Urdhëro. Hashim Thaçi në telefon. I thashë urdhëro – ishte hera e parë në jetë që po flisja në telefon me të. Thaçi më tha: Të ka përjashtuar Isa Mustafa nga partia, zgjidhe cilin numër po e dëshiron në PDK [për të kandiduar për deputetë]. I thashë: O Hashim Thaçi më përpara bëhem me Sllavisha Petkoviçin se me ty”, rrëfen Gani Geci bisedën me ish-kryetarin e PDK-së në atë kohë.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së thotë se kjo ngjarje ka ndodhur në zgjedhjet që janë mbajtur në vitin 2014.

I pyetur nëse dikush tjetër ka qenë, Geci thotë se e njeh mirë zërin e Hashim Thaçit, madje sipas tij e di edhe nga kush e ka marrë numrin e tij.

“Hashim Thaçi i ka kërkuar numrin tim Jetullah Gecit në Polac”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Geci thotë se ai personalisht nuk ka qenë asnjëherë për largim nga LDK-ja pas përleshjeve në Kuvendin e VI-të të partisë.

“Unë nuk kam qenë për largim nga LDK-ja por i jam bashkëngjitur turmës. E pranoj që ka qenë gabim i madh, por nuk kemi pasur zgjidhje tjetër”.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës thotë se Fatmir Sejdiu bartë fajet për atë ngjarje pasi sipas tij “ai ishte i paguar nga PDK, pasi e synonte postin e presidentit”.