Gënjeshtra e Thaçit – Pesë shtete të fuqishme mohojnë marrëveshjen për Specialen

Gënjeshtra e Thaçit – Pesë shtete të fuqishme mohojnë marrëveshjen për Specialen

Ishte tetori i vitit të kaluar, kur presidenti i vendit, nisi një gjuhë krejt tjetër për Gjykatën Speciale, kur gjatë një prezantimi të raportit publik rreth Gjykatës Speciale, e organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë. Atë kohë presidenti deklaroi se kishte marrë premtime nga bashkësia ndërkombëtare, se nëse Prishtina e miraton Gjykatën Speciale do të ndodhte edhe liberalizimi i vizave dhe do të hapej rruga evropiane e Kosovës.

“Që ta ruaj partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, pranova që ta udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës, përkundër opinionit masiv politik dhe qytetar ndaj kësaj gjykate. Nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do t’i themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare, asnjë nga këto premtime nuk i realizoi. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësuar rrugëtimi euroatlantik”, pati thënë presidenti Thaçi.

Edhe pse më vonë, gjatë tetorit kur u vizitua nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta, presidenti e kishte mohuar se ka thënë diçka të tillë përkundër fakteve që tregojnë të kundërtën, ka ardhur reagimi i pesë ambasadave të shteteve më të fuqishme në Kosovë, që njihen si shtetet e Qunt-it.

“Nuk kishte asnjë marrëveshje ndërmjet komunitetit ndërkombëtarë dhe Kosovës lidhur me krijimin e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Pjesë e shteteve të Qunt-it janë diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Britanisë e Italisë.

Nëpërmjet një deklarate për media, diplomatët e këtyre shteteve, kanë thënë se krijimi i Dhomave të Specializuara ishte mënyra e vetme për Kosovën të dëshmoj përkushtimin e saj për drejtësi dhe sundim të ligjit, dhe të vazhdojë të pranoj mbështetjen ndërkombëtare.

“Me ndihmën tonë, Kosova ka shënuar përparim në shtatë vitet e fundit për arsye të përkushtimit të saj për drejtësi ndërkombëtare. Vendimi i Kuvendit në vitin 2015 për të krijuar Dhomat e Specializuara ishte shenjë e qartë se Kosova refuzoi kulturën e mosndëshkimit”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com