Gent Cakaj, shkarkoi 20 diplomatë shqiptarë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në detyrë, Gent Cakaj, ka shkarkuar 20 diplomatë shqiptarë. Lajmin e ka bërë të ditur vet Cakaj gjatë një konference për media duke renditur si arsye, nepotizmin, klientelizmin dhe korrupsionin moral, që sipas tij, nuk duhet të tolerohen.

“Ambicia për një shërbim ekselent diplomatik e ka karakterizuar përpjekjen e zellshme të ministrisë përgjatë 5 viteve të fundit. Sidoqoftë jetësimi i kësaj ambicieje mbetet ende një sfidë e hapur. Në këto 77 ditët në krye të këtij institucioni, unë kam mbledhur një grup pune për të shqyrtuar hollësisht cilësinë e burimeve njerëzore të shërbimit diplomatit të shtetit shqiptar”, ka deklaruar ministri.

Shkëputja e marrëdhënies, sipas Cakajt, me punonjësit është bërë edhe pas mos përmbushjes së kushteve ligjore.

“Pas kësaj ndërmarrjeje të kujdesshme, unë jam me ju të ndaj me ju faktin se kam vendosur të shkëpus marrëdhënien me një pjesë të punonjësve, që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as kushtet minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre e lëre më pastaj, ambicien e kësaj qeverie dhe synimin e kryeministrit Edi Rama për ta çuar në lartësinë e merituar, përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Po ashtu, një pjesë tjetër e punonjësve do të transferohen menjëherë për të vepruar dhe punuar sipas nevojave reale të punës dhe jo sipas inercionit të së shkuarës. Fillimisht ju informoj se numri i të prekurve nga kjo iniciativë reformatore do të shkojë mbi 20”, ka thënë Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

“Dua të jem krejtësisht i sinqertë me ju gjatë kryerjes së detyrës sime dhe kjo nënkupton edhe komunikimin e hapur dhe periodik. Sfida evropiane e Shqipërisë dhe agjenda jonë reformiste e kapërcimit të pellgut të ndenjur të së shkuarës, nuk përkon kurrsesi me nepotizmin, klientelizmin dhe korrupsionin moral në asnjë sektor e lërë më pastaj në përfaqësitë e Shqipërisë nëpër botë”, tha Cakaj./ Insajderi.com

ERTV Live?: Deklaratë e ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj

Gepostet von Edi Rama am Dienstag, 26. März 2019