Ish-kapiteni i Liverpool dhe Anglisë, Steven Gerrard, tha se vendi si trajner i MK Dons ka ardhur shumë shpejt për të. 36-vjeçari mesfushor, i cili do të largohet nga LA Galaxy më 31 dhjetor, tha se ai ka pasur një ofertë nga klubi i League One (kategoria e tretë), pas largimit të Karl Robinson.
“Do të ishte një ofertë shumë e mirë për dikë tjetër, por për mua është shumë shpejt,” tha Gerrard, i cili ka luajtur 710 ndeshje me Liverpool.
Emri i tij është lakuar se mund të vazhdojë të luajë futboll te Celtic dhe Newcastle, ashtu si për një rikthim në “Anfield” si pjesë e stafit teknik të Klopp.
Gerrard, futbollisti i katërt më me shumë ndeshje në historinë e Anglisë, u largua nga Liverpool në vitin 2015, pas 17 vitesh në skuadrën e parë të klubit “të kuq” ku fitoi tetë trofe madhorë. Ai është në kurs për të marrë UEFA “A”, licenca e dytë për nga rëndësia në kualifikimin e trajnerëve.