Kandidatja për deputete në listën e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas adresimit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, njofton Insajderi.
Gërvalla-Schwarz e ka përgëzuar Osmanin për mesazhin që ka dhënë në këtë adresim, ndërsa ka thënë se askush nuk mund të rrezikojë zgjedhjet edhe pse sipas saj, përpjekjet për të arritur këtë janë të shumta dhe të tejdukshme, transmeton Zeri.info.
“Përgëzoj znj. Osmani për mesazhin e fuqishëm dhe të urtë drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës. Askush mos të mendojë që do të mund ta rrezikojë procesin zgjedhor edhe pse përpjekjet për ta arritur këtë janë të shumta dhe të tejdukshme.
Qytetari vendos më 14 shkurt se kush do ta qeverisë këtë vend dhe kush do të jetë President I këtij vendi pas zgjedhjeve”, ka shkruar Gërvalla-Schwarz.
Ajo ka shtuar se “Dikujt po i dridhet toka nën këmbë nga uragani i fuqishëm i vullnetit qytetar që po vjen më 14 shkurt”.
“Askush tjetër. As Valdete Daka me sjelljet e saj skandaloze dhe tërësisht të politizuara, as Isa Mustafa me deklaratat e tij, të cilat përveç përfaqësuesve të disa mediave nuk i dëgjon bash askush, as PDK-ja me pseudospecialistët e saj që irritojnë publikun me pseudoekspertizat e tyre të gabuara. Dikujt po i dridhet toka nën këmbë nga uragani i fuqishëm i vullnetit qytetar që po vjen më 14 shkurt. Me shumë qetësi dhe optimizëm mezi po e presim atë datë. Të gjithë bashkë guxojmë krejt dhe drejt”, ka shkruar ajo./Insajderi.com