Gërvalla kërkon dorëheqjen e Isa Mustafës

Gërvalla kërkon dorëheqjen e Isa Mustafës

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar dorëheqjen e Isa Mustafës nga posti i të parit të kësaj partie.

Gërvalla ka thënë se “ai duhet të japë dorëheqje dhe të hapë rrugë për një fushatë zgjedhore pa ngarkesat e dështimeve të tij të vazhdueshme”.

“As ai, por as Ismet Beqiri dhe 3 nënkryetarët e LDK-së, si bashkëpërgjegjës për një politikë, e cila e ka dëmtuar LDK-në dhe Kosovën deri në palcë, nuk mund të luajnë asnjë rol në zgjedhjet e ardhshme dhe as brenda LDK-së, nëse partia e Presidentit Rugova dëshiron të fitojë qoftë edhe pak nga besimi i humbur gjatë viteve të fundit”, ka thënë Gërvalla.

“Nevojitet urgjentisht një LDK e re me parime të sprovuara për ta tejkaluar hap pas hapi krizën e rëndë që mbizotëron në Kosovë. Nëse LDK-ja nuk vepron shpejt, atëherë Hashim Thaçi e Kadri Veseli edhe gjatë fushatës do ta ndjekin si dhelpra lepurin, siç bënë vite me radhë në një koalicion joparimor dhe krejtësisht të papranueshëm”, ka shtuar ajo.

“Nga takimet e mia në të gjithë Kosovën e di që LDK nuk ka vetëm votues dhe anëtarë të frustuar apo të zemëruar. Mbi të gjitha ka të tillë që nga LDK-ja presin më në fund një sinjal të qartë shprese dhe ringjalljeje”.

“Me këta njerëz dhe me forca civile shoqërore mund ta nxjerrim Kosovën nga kriza e gjithanshme. Një ekip i shëndoshë me bërthamë të shëndoshë dhe emra si Vjosa Osmani, Shpejtim Bulliqi, Anton Quni e shumë e shumë të tjerë jep shpresë për një të ardhme shumë më të mirë. Pra të përvjelim mëngët se na pret shumë punë”, ka thënë ajo.