Gërvalla sërish e ashpër kundër “mini-shengenit”

Gërvalla sërish e ashpër kundër “mini-shengenit”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, sërish ka qenë e ashpër ndaj projektit të “mini-shengenit”.

Këto komente ajo i bëri të premten në diskutimin jo-formal mes ministrave të Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u mbajt në Brdo Pri Kranju të Sllovenisë

“E quajnë ‘mini-shengen’ dhe na thonë vazhdimisht që ky nuk është në kundërshtim me rrugëtimin drejt BE-së. Por kjo nuk është e vërtetë. Na thonë që i shërben bashkëpunimit rajonal. As kjo, nuk është e vërtetë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo po ashtu bëri thirrje në drejtim të Bashkimit Evropian që të ndërmerr hapat e nevojshëm për ta ndaluar këtë proces para se të jetë vonë.

Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, janë tri shtetet më ithtare të “mini-shengenit”.

Por, Prishtina zyrtare vazhdimisht ka kundërshtuar – të njëjtin qëndrim e ka edhe kryeministri aktual, Albin Kurti.

Shpesh “mini-shengeni” është cilësuar në Kosovë si “Jugosllavia e re”. /Insajderi.com