
Në shikim të parë duket si paradoksal titulli i ekspozitës, por esenca e veprave të tij është fryma e qenies. “Gjallëria e së ngurtës” e hapur të enjten në Galerinë e Arteve në Pejë, bën tok 30 skulptura e 10 vizatime. Nëpërmjet tyre, Albulen Neziri thur rrëfimin për njeriun, përballjen me sakrificat, mbijetesën e tij. Të ndara në tri cikle – “Mbijetesa”, “Torzo” dhe “Energjia e brendshme” – skulptori pejan që i takon gjeneratës së re të skulptorëve kosovarë, shkon përtej vizuales. Ai nuk ndalet te fizikusi, por depërton në anën shpirtërore të humanes. Kjo qasje ua jep gjallërinë.
Në mungesë të Penesta Dikës, kuratore e kësaj ekspozite të financuar nga Ministria e Kulturës, fjalën e saj autoriale për këtë ekspozitë, në ceremoninë e hapjes e lexoi Liridon Shala nga Galeria e Ministrisë së Kulturës.
“Ekspozita ‘Gjallëria e së ngurtës’, me veprat e Albulen Nezirit përbëhet nga tri seri të ndryshme. Punimet paraqesin skulptura që ngjasojnë në njerëz, apo skulptura që paraqesin lloje torzosh, si dhe skulptura që paraqesin formacione abstrakte me forma natyrale. Edhe pse këto skulptura janë të krijuara nga materiale të ngurta si guri apo mermeri, ato megjithatë na duken të gjallëruara, nga njëra anë përmes ngjyrave të forta me të cilat janë të ngjyrosura, si dhe nga ana tjetër për shkak të përdorimit të materialeve, që janë ngjitur mbi sipërfaqen e tyre”, lexoi Shala