Edhe gjashtë muaj deri te data e daljes zyrtare të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, ndërsa negociatat në mes të Brukselit dhe Londrës për këtë, sipas fjalëve të kryeministres Theresa May, gjenden në rrugën qorre.

Nëse May arrin marrëveshje me BE, planin e saj duhet ta konfirmojë Partia e përçarë Konservative dhe Parlamenti.
Nëse nuk arrin, Britania e Madhe do të mund të ballafaqohet me dalje pa marrëveshje, zgjedhje të reja apo edhe me një referendum, shkruan sot Al Jazeera.
Këto janë datat e rëndësishme për zhvillimet e mëtutjeshme të ngjarjeve para daljes zyrtare në mars të vitit të ardhshëm:
Konferenca e konservativëve (30 shtator – 3 tetor)
Në këtë konferencë do të dominojnë tensionet rreth planit të Theresa May për Brexit, ndërsa rivalët, si ish ministri i jashtëm Boris Johnson, me siguri do ta shfrytëzojnë rastin për ta bindur anëtarësinë se për partinë është më mirë që ata të jenë në krye.
Edhe pse May në konferencë dëshiron të flasë për politikë të brendshme në vend të Brexit-it, në tubim do të hulumtojë mendimin e partisë së vet mbi marrëveshjen të cilën po planifikon ta arrijë me BE.
Këshilli i Evropës (18 tetor)
Kah mesi i tetorit May do të takohet me krerët tjerë evropian dhe Komisionin Evropian në mënyrë të përfundojnë negociatat rreth kushteve të daljes së Britanisë së Madhe dhe marrëdhënieve të ardhshme me Evropën.
Dokumenti përfundimtar duhet të ofrojë zgjidhje për çështje tregtare dhe evitimin e kthimit të kontrollin në kufi në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, i cili do të bëhet kufiri i vetëm tokësor i Mbretërisë së Bashkuar me BE.
Samiti special për Brexit-in (17 dhe 18 nëntor)
Krerët e BE janë marrë vesh në samitin e Salzburgut për takimin e posaçëm më 17 dhe 18 nëntor, në të cilin do të duhej të lidhet marrëveshja për Brexit.
Këshilli i Evropës (13 dhe 14 dhjetor)
Krerët e anëtareve të BE do të takohen përsëri në Këshill më 13 dhe 14 dhjetor.
Nëse marrëveshja nuk arrihet në nëntor, ky samit do të ishte një prej rasteve të fundit për t’u marrë vesh nëse janë të gatshëm parlamentet në Bruksel dhe Londër ta ratifikojnë deri në mars.
Votimi i Parlamentit britanik për Brexit-in (data e pacaktuar)
Për çfarëdo marrëveshje, nëse arrihet, May duhet ta ketë përkrahjen në Parlament. Për këtë asaj i nevojiten rreth 320 vota.
Konservativët e saj në këtë organ prej 650 deputetëve i kanë 316 vende, prandaj për ta arritur shumicën ata mbështeten në partinë e Irlandës Veriore DUP, e cila i ka 10 deputetë.
Në fund të shtatorit Partia Laburiste vendosi të votojë kundër çfarëdo marrëveshjeje të cilën e arrin kryeministrja me Brukselin. Ata në takimin e njëjtë kanë përkrahur idenë për referendumin e ri mbi Brexit-in.
Ratifikimi në Parlamentin Evropian (data e papërcaktuar)
Marrëveshja në mes të Britanisë së Madhe dhe 27 krerëve evropianë duhet të ratifikohet edhe në Parlamentin Evropian.
Votimi përfundimtarë duhet të mbahet në seancën plenare prej 11 deri 14 mars të vitit të ardhshëm.
Dalja (29 mars 2019)
Me këtë datë britanikët zyrtarisht dalin nga BE. Nëse deri në këtë datë arrihet marrëveshje, nisë periudha kalimtare, kur një pjesë e madhe e rregullave evropiane do të jetë në fuqi derisa qeveria në Londër nuk formulon dhe nuk ndërmarrë masa për një sërë të çështjeve, siç është imigrimi.
Përfundimi i periudhës transitore (31 shtator 2020)
Kah fundi i viti 2020 përfundon periudha transitore qëllimi i të cilës është amortizimi i pasojave të Brexitit në ekonomi dhe qetësimi i jostabilitetit.
Deri tani është marrë vesh vetëm për një pjesë të vogël të marrëdhënieve të ardhshme të BE dhe Britanisë së Madhe për çështje të tregtisë, tregut të përbashkët dhe çështjeve tjera të rëndësishme./Insajderi.com.