Gjatë luftës, janë vrarë 568 ushtarë serbë të Korpusit të Prishtinës

Gjatë luftës, janë vrarë 568 ushtarë serbë të Korpusit të Prishtinës

Nuk është më fshehtësi se doktrina ushtarake serbe, aftësia dhe fitoret në mbrojtjen e vendit gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999 mësohen në gjithë botën, madje edhe nga njësitë e NATO-s.

Kështu është shprehur i dënuari i Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në Kosovë, gjenerali në pension, Vlladimir Llazareviq, duke shtuar se pse Ushtria serbe, akademitë dhe eprorët e tashëm të mos mësonin dhe të dëgjonin për ato bëma e përvoja, raporton FoNet, transmeton Koha.net.

“Kam qenë ushtarak dhe kam mbetur ushtar që ka mbrojtur atdheun e vet dhe atij do t’i shërbejë gjithmonë”, citohet të ketë deklaruar Llazareviq, ish eprori i lartë ushtarak i Ushtrisë së Jugosllavisë dhe komandanti i Korpusit të Prishtinës dhe i Zonës së Tretë Ushtarake (të Nishit) në periudhën e, siç e quan Beogradi – agresionit të NATO-s mbi Serbinë.

“Për lirinë dhe të ardhmen e Serbisë kanë dhënë jetën 568 bashkëluftëtarë, 568 Obiliqa (e ka fjalën për Millosh Obiliqin nga Lufta e Kosovës më 1389 – sqarim ynë) nga përbërja e Korpusit të Prishtinës, të cilët janë zhvendosur përgjithmonë në qiell, në amshim dhe pavdekësi…”, është shprehur Llazareviq.