Drenasi është në mesin e komunave që po përballet me vërshime si pasojë e reshjeve të shiut që po bien tash e disa ditë pa ndërprerë në Kosovë, njofton Insajderi.
Për situatën nga përmbytjet në këtë komunë Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar me zëdhënësin e saj, Bekim Dobrën.
Ai njoftoi se deri tani kanë evakuuar gjashtë familje të cilat kanë qenë të rrezikuara nga niveli i ujit që u ka depërtuar në shtëpitë/banesat ku jetojnë.
Dobra tha se si pasojë e situatës së krijuar, kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, ka formuar Qendrën Operative Emergjente.
“Aktualisht ekipet emergjente janë në teren. Deri më tani kemi avakuuar gjashtë familje të cilat kanë qenë më të rrezikuara nga reshjet e shiut që kanë qenë të pandalshme që nga mbrëmja e së dielës. Gjendja nuk është aspak e mirë. Kryetari e ka formuar edhe Qendrën Operative Emergjente, që janë të përfshira si FSK-ja me dy grupe, shërbimi I zjarrfikësve dhe qytetarët”, tha ai.
Tutje, ai shtoi se aktualisht dy rrugë janë të pakalueshme, ndërsa të tjerat kanë vështirësi për qarkullim.
“Për momentin të pakalueshme janë rruga në Dobroshevc, që lidhet me fshatrat e Obliqit. Edhe në Strubullugë një rrugë është e pakalueshme dhe tjerat janë të pakalueshme por me vështirësi, si psh rruga Drenas-Komoran”, shtoi Dobra.
Ndërsa, sa i përket vlerës së dëmeve të shkaktuara, ai deklaroi se “duhet të formohet një komision, pastaj në bazë të kërkesave të qytetarëve mund ta dimë se sa dëme janë shkaktuar, vetëm mund të ju them se dëmet janë të mëdha”./Insajderi.com