Gjendje greve në Kosovë – pa minatorë, pa mësimdhënës dhe pa avokatë

Gjendje greve në Kosovë – pa minatorë, pa mësimdhënës dhe pa avokatë

Janari i këtij viti ka gjetur në grevë minatorët, avokatët, kirurgët dhe mësimdhënësit që po paralajmërojnë grevë nga 14 janari. Minatorët e Trepçës dhe të Stantërgut janë futur në grevë – kërkesa e tyre është rritja e pagës prej rreth 100 euro.

Përderisa grevë të pashmangshme po paralajmërojnë edhe mësimdhënësit. Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, grevën nga 14 janari po e quajt të pashmangshme, sipas tyre kërkesat e mësimdhënësve nuk janë në planë të realizohen. Qëllimi i tyre është që të ndryshohet ligji për paga kur do të iu mundësohej rritja e koeficientit të mësimdhënësve për 30%.

Rrahman Jashari, kryetari i SBASHK-ut, ka deklaruar gjatë ditës së sotme për Insajderin se paga e një mësimdhënësi për shkollat fillore është 421 euro, që sipas tij është diskriminuese për mësimdhënësit.

Jashari thotë se me ndryshimin e ligjit të pagave është për qëllim që nga punëtorët e çerdheve e deri tek mësimdhënësit e shkollave të mesme të ketë rritje të pagës.

“Ne që nga maji kemi bë përpjekje që të realizojmë kërkesat tona, është fjala për ligjin e pagave. Kemi thënë që nuk është thënë që ligji për paga nuk do të bëjë nivelizim të pagave, por në sektorin e arsimit do të lë në një pozitë tepër të keqe. Kemi provuar që me argumente dhe së bashku me MASHT-in të përmirësojmë këtë çështje. Kjo nuk ka ndodhur dje kemi pasur takim me kryeministrin Haradinajn dhe ministrin Bytyqi”, ka deklaruar kryetari i SBASHK-ut për Insajderin.

Jashari e konsideron si të pa shmangshme grevën e përgjithshme në bazë të bisedimeve me institucionet vendore.

“Na është dhënë disa premtime teorike që megjithatë do të angazhohen përmes një komisioni të përbashkët MASHT dhe SBASHK me një përfaqësues nga kabineti i kryeministrit që në takim komisionin parlamentar për administratë që ende është ky projektligj të bëjmë ndryshmet e mundshme. Mirëpo të gjitha janë deklarata këto deri tani. Nga bisedat që kemi zhvilluar deri më tani në teren, gjasat janë shumë të mëdha për grevë gjenerale pasi janë shterur të gjitha çështjet e tjera të dialogut”.

“Ne duke provuar që të jemi partner të vërtetë që të ofrojmë mundësi për dialog, por duke parë që pala tjetër nuk është e interesuar për dialog nuk na mbetet zgjedhje tjetër përveç grevës”, ka deklaruar Jashari.

Përderisa, mësimdhënësit janë duke paralajmëruar grevë, të enjten minatorët e Trepçës i kanë bërë fiks një javë që kur kanë bojkotuar punën për shkak të grevës. Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqyri Bytyqi ka deklaruar për Insajderin se me vetë iniciativë minatorët janë futur në grevë tash e një javë.

Sipas tij, kërkesat e punëtorëve janë ngritja e pagës prej 20% si dhe mos punësimi i minatorëve në këtë minierë pa konkurs. Po ashtu kërkesë e minatorëve është shkarkimi i bordit, të cilët sipas tyre nuk kanë shprehur asnjëherë interesim për minatorët.

“Greva ka filluar në mënyrë spontane të enjten nga vetë minatorët nuk ka qenë e ftuar nga sindikata i kanë parashtruar disa kërkesa ato kërkesa i kemi përkrahur si sindikatë, ata kanë krijuar një këshill grevistë dhe ata e kanë situatën më tutje në dorë. Greva është duke vazhduar ende”.

“Është rritja e pagës prej 20% kanë kërkuar që të mos bëhet punësim në Trepçë pa pasur konkurs dhe kanë kërkuar shkarkimin e Bordit të Trepçës. Qe 8 muaj që erdhën në pozitë, nuk kanë qenë kurrë tek minatorët as nuk kanë dashur të takohen, madje as me grevistët kur kanë qenë në grevë dhe me gjet ndonjë zgjidhje që me dal prej krizës. Minatorët tash kanë kërkuar shkarkimin e tij. Nuk i përfaqëson kërkesat e minatorëve. Nesër bëhen një javë që nga greva”, ka deklaruar Bytyqi.

Ai ka shpjeguar se greva është duke u mbajtur jashtë minierës, ndërsa gjatë ditë së djeshme janë vizituar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Megjithatë ai e sheh si të vështirë përmbushjen e kërkesave në bazë të takimit të sotëm.

“Sot ministri i Zhvillimit Ekonomik ka qenë në takim. Deri diku i kemi përafrua nja 2 kërkesa që kanë qenë të pezulluara i ka marrë përsipër ministri. Assetet e Trepçës duhet të kalojë në draft statusi në kuvend edhe të regjistrohet si Trepçë, si dhe një ligj i veçantë duhet të bëhet për minatorë”.

“Për pagë, kërkuan kohë që në të ardhmen. Besoj që jemi në dialog, sa i takon bordit tha që nuk ka kompentecë për ta shkarkuar dhe shkoj të bisedojë në Prishtinë për të dhënë përgjigje, besojmë se do të marrim përgjigje dhe të shohim tash tutje qa do të ndodhë”, ka deklaruar ai.

Më tej ai ka thënë se nëse “plotësohen kriteret tona ne e ndërpresim grevën. Ne kërkojmë gjithqysh të plotësohen dy kërkesat”.

Ndërkaq gjatë ditë së martë në grevë janë futur edhe avokat e Kosovës. Ata po kërkojnë nga Gjykatat që t’u lejohet futja e avokatëve pa marrë leje të veçanet nga kryetari i Gjykatës apo nga gjyqtarët e rasteve.

Kujtojmë që në grevë kanë qenë edhe mjekët të cilët në përjashtim të rasteve emergjente nuk kanë pranuar pacientë./Insajderi.com