
Gjenerali Pedrag Bandic, shef i delegacionit të Serbisë e ka lëshuar mbledhjen e rajonale të NATO’së në momentin kur aty i kanë filluar diskutimet zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Burim Ramadani, dhe drejtori i Autoritetit Civil të Aviacionit, Eset Berisha.
Se Bandic e ka lëshuar takimin, për Express ka treguar vetë Burim Ramadani, duke shprehur keqardhje për një qëndrim të tillë të palës serbe.
“Sjelljet e këtilla të Gjeneralit serb nuk i kontribuojnë qasjes së përbashkët rajonale të normalizimit të aviacionit në Ballkan. Shpreh keqardhjen time për këtë veprim”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij hapja e hapësirës së ulët ajrore është një proces i pandalshëm dhe do të kontribuojë në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë rajonit, pasi që do të zvogëlohet kohëzgjatja e fluturimeve.
“Kosova e ka të qartë rrugën përpara. Hapja e hapësirës së ulet ajrore do të ndodh. Kjo i kontribuon mirëqenies së qytetarëve të Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi. Çmimet për biletat e fluturimit do të ulen, kohëzgjatja e fluturimeve do të zvogëlohet, dhe kjo ndihmon në jetën e përditshme”, ka shtuar ai për Express.
Takimi në NATO ka qenë takim rajonal dhe është mbajtur, ndër të tjera, edhe me qëllim të gjetjes së zgjidhjes teknike për hapësirën e ulët ajrore të Kosovës.