Nga pasditja e sotme, Nehat Kulla do të jetë i lirë. I njohur edhe me nofkën “Gjenerali”, Nehat Kulla drejtoi një ndër bandat më famëkeqe në Tiranë dhe në Shqipëri në vi" />

“Gjeneralit” të bandës famëkeqe i përfundon dënimi

“Gjeneralit” të bandës famëkeqe i përfundon dënimi

Nga pasditja e sotme, Nehat Kulla do të jetë i lirë. I njohur edhe me nofkën “Gjenerali”, Nehat Kulla drejtoi një ndër bandat më famëkeqe në Tiranë dhe në Shqipëri në vitin e mbrapshtë 1997. Ai ka shlyer në burgun e Fushë Krujës dënimin 20 vjeçar për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.

Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, me aktivitet në zonën e Kinostudios dhe Tufinës në Tiranë.

Banda e tij akuzohet se ka kryer shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme në vitet 1997-1998.

Nofka e “Gjeneralit”

Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.