Gjenerata e re e politikanëve peng i politikës së vjetër – lufta e deklaratave patriotike

Gjenerata e re e politikanëve peng i politikës së vjetër – lufta e deklaratave patriotike

Gjithçka nisi me një deklaratë që në shikim të parë nuk dukej befasuese nga një anëtar i një partie opozitare.

Dardan Sejdiu tha dje se Kadri Veseli nuk është person unifikues për kryetar të Kuvendi.

Por kjo deklaratë nuk i pëlqeu aspak deputetes së zëshme të Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Musliu menjëherë pas kësaj deklarate shkruajti në Facebook. Tha se Sejdiu vazhdon të mbetet më i butë  se kolegu i tij “Skënderbeu”.  Iu referua Fisnik Ismailit, deputet i VV-së.

Ajo u morë me të dy prindërit e deputetëve të Vetëvendosjes.

Musliu për babin e “Skënderbeut” tha se sillej me revole në Kosovën e vrarë të viteve 98-99.

“Baba i tij me alltia u endeke në Kosovën e vrarë të viteve 98-99 nga Millosheviqi atë kohë, e me leje të tij)”.

Ndërsa për nënën e Sejdiut ajo tha se si gjyqtare e Milloshoviqit vështirë se do t’i linte të gjallë Thaçin e Veselin po ti zinin në vitet e 90.

“Nënën e Sejdiut, gjyqtare e dhunshme e Millosheviqit në Kosovë, duke punuar deri në 1999, me kanë me nxënë Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin të gjallë atëherë, nuk dihet a i kishin lëshuar të gjallë ndonjëherë prej gjyqit serb ku ka punuar. E lëre ma kryetar shteti apo kryeparlamentar”, kishte shkruar ajo.

Pas këtyre fjalëve që i dëgjoi Sejdiu ai paralajmëroi menjëherë padi ndaj Ganimete Musliut, por debati i nxehtë vazhdoi ende.

Kësisoj një gjeneratë e tërë e politikanëve të rinj u zhyten në një debat të vjetër.

Paralajmërimet e Sejdiut vetëm se e ndezën PDK-në. Për këtë çështje reagoi këshilltari i presidentit të vendit, Abelard Tahiri.

Tahiri ironizoi me Dardan Sejdiun, duke thënë se ai duhet ta sqarojë se cilat gjyqe i preferon.

“Dardan Sejdiu me gjithë qejf do ta padiste Ganën në gjyqin ku i ka punuar nëna deri më 1999. Nëse mbrëmë e kishte fjalën për padi, se kinse ka fyer ndonjë kolege të Danica Marinkoviqit (kjo e fundit kriminele e njohur e gjyqësisë serbe në regjimin e Millosheviqit, si dhe kolege pune e nënës së Dardan Sejdiut) dhe ka njollosur gjyqësinë serbe të asaj kohe, atëherë për Dardanin padyshim se ky do të jetë një gjyq i fituar dhe interesant!”, ka shkruar Tahiri.

Në gjithë këtë debat nuk u la i vetmuar Sejdiu, atij i ndihmoi edhe i involvuari në këtë debat Fisnik Ismaili nga Vetëvendosje.

Ismaili nuk u përmbajta fare duke eskaluar me gjuhë. Fillimisht ai tha: “Ganimute Mutliu, ta ha zemrën, se nanën garant e ki palidhje, tuk që e ka pjellë një krijesë si ti. E vazhdo ti ha mut për babën tem hala”.

E pas një orë ai vazhdojë përsëri.

“Ganimete, mbasi mu kape për babën e ndjerë, edhe shpife për to, nuk muj pa ta fajësue edhe unë ty babën, që s’e ka nxjerrë jashtë kur është dashtë, e i ka dhanë jetë një krijese si ti”, përfundoj Ismaili.

Në debat u inkuadrua nënkryetari i PDK-së Uran Ismaili, ai e quajti babin e Ismailit si bashkëpunëtor të Millosheviqit.

“Ti mos u prek, djali s’e zgjedh babën. Zaten as t’i nuk i zgjedh fjalët, të ka mbetë rremb prej Babës ndoshta”, shkruan ai.

Edhe Ministrja e Drejtësisë, në largim Dhurata Hoxha  u inkuadrua në këtë debat ajo tha se do të preferonte fëmijët të bëheshin si Ganimete Musliu se sa pasardhësve të Millosheviqit.

“Unë kam fëmijë dhe si nënë do të doja që fëmijët ti ngjajnë Ganimetes e jo pasardhësve të bashkëpunëtorëve të Millosheviqit”, tha ministrja.

Këtë debat të paktën deri më tani e përmbylli ai që e nisi, Sejdiu publikoj në Facebook, padinë që i ka bërë Ganimete Musliut dhe këshilltarit të presidentit, Abelard Tahiri.

Bile ky tha se dëmshpërblimi që do të fitoj nga shpifjet do të shkojnë për të gjitha ata që u larguan nga puna nga regjimi i Millosheviqit.