Gjermania merr masa ndaj Rusisë, ndalon punimet për gazsjellësin Nord Stream 2

Gjermania merr masa ndaj Rusisë, ndalon punimet për gazsjellësin Nord Stream 2

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka ndaluar punimet për vënien në punë të gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2 pas veprimeve të Moskës në Ukrainën lindore.

Scholz njoftoi ndalimin e certifikimit të gazsjellësit nga Rusia ndërsa fliste së bashku me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, në Berlin të martën.

Gazsjellësi, i cili do të rriste varësinë evropiane për energji nga Rusia, ka qenë një burim i madh grindjesh në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara për vite me rradhë.

“Për sa i përket zhvillimeve të fundit, ne duhet të rivlerësojmë situatën edhe në lidhje me Nord Stream 2. Duket shumë teknokratike, por është hapi i nevojshëm administrativ për të ndaluar certifikimin e gazsjellësit,” tha Scholz.

Pa iu nënshtruar procesit të certifikimit ose miratimit, tubacioni nuk mund të fillojë të funksionojë.

Gazsjellësi midis Rusisë dhe Gjermanisë përfundoi shtatorin e kaluar, por nuk është ende në funksion.

Nord Stream 2 është projekt i përfunduar në partneritet mes kompanisë ruse Gazprom që ka në pronësi 51 për qind të aksioneve dhe disa kompanive gjermane, holandeze e franceze./Insajderi.com