Gjermania refuzoi t’i bashkohet koalicionit ushtarak në Gjirin Persik

Gjermania ka refuzuar thirrjen e SHBA të bashkohet në misionin e tyre të sigurisë në Gjirin Persik, në të cilin janë kyçur Britania e Madhe dhe Franca. Ministria e jashtme gjermane ka kumtuar se Berlini nuk ka plane që “në çfarëdo mënyre të kontribuojë” në misionin të cilin po e udhëheqin SHBA.

Gjermania refuzoi t’i bashkohet koalicionit ushtarak në Gjirin Persik

Ministri i jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas ishte edhe më i qartë, duke porositur se për Gjermaninë prioriteti është “ulja e tensioneve dhe përpjekjet diplomatike”.

“Pjesëmarrja në aksionin amerikan të presionit maksimal për ne është plotësisht e përjashtuar”, ka porositur Maas, transmeton AFP.

Ministrja e re gjermane e mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer tash për tash nuk është deklaruar për kërkesën zyrtare të SHBA, mirëpo para disa ditësh ka thënë se çdo vendim në këtë drejtim mund të merret vetëm për situata konkrete, por edhe atëherë me peshim të gjitha faktorëve.

Ambasada amerikane në Berlin ka konfirmuar se Gjermanisë i është dorëzuar kërkesë zyrtare që t’i bashkohen misionit në Gjirin Persik.

“Anëtarët e qeverisë gjermane flasin se duhet mbrojtur lundrimi i lirë në Gjirin Persik, dhe ne i pyesim si do ta bëjnë këtë”, ka thënë zëdhënësja e ambasadës, transmeton Politico./Insajderi.com.