
Ministria e Brendshme e Bavarisë ka thënë se autoritetet e saj kanë nën përcjellje rreth 16 myslimanë që sipas tyre janë kërcënim për sigurinë e shtetit të Bavarisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Në mesin e tyre ka edhe persona nga Kosova.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Brendshme të shtetit federal të Bavarisë në Gjermani, prej këtyre 16 personave gjysma janë me nënshtetësi gjermane, ndërsa të tjerët vijnë nga vende të tjera siç janë: Siria, Turqia, Kosova, Tunizia dhe Iraku.
Ata nuk kanë bërë të ditur numrin e personave nga këto shtete që janë nën vëzhgimin e shtetit.
Siç shkruan gazeta gjermane Bild, ky raport i Ministrisë së Brendshme bavareze ka ardhur pas kërkesës së deputetit të partisë SDP në parlamentin e Bavarisë, Klaus Adelt, raporton Insajderi.
Ministria ka thënë se të gjithë këta persona, përveç njërit, kanë ardhur në Gjermani para gushtit të vitit 2015 ose kanë qenë të lindur në Gjermani.
Bavaria është njëra nga 16 shtetet përbërëse të Republikës Federale të Gjermanisë. Ky shtet gjendet në jug të Republikës gjermane. /Insajderi.com