Gjiganti evropian ofron 175 milionë euro për Coutinhon

Gjiganti evropian ofron 175 milionë euro për Coutinhon

Gjatë verës u duk se tek Liverpooli Emre Can ishte emri i vetëm për të cilin Juventusi ishte tejet i interesuar për të përforcuar mesfushën.

Shifra e lartë e kërkuar nga “The Reds” stepën skuadrën italiane gjatë muajve të nxehtë, por me rënien e temperaturave, “Bardhezinjtë” janë gati të bëjnë një çmenduri, këtë herë për një tjetër emër.

Sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle, Juventusi ka ofruar 175 milionë euro për Philippe Coutinhon e Liverpoolit. Shifra është 25 milionë euro më shumë se ajo e paraqitur nga Barcelona dhe e refuzuar nga drejtuesit e skuadrës angleze dhe do t’u prezantohet britanikëve në janar.

“Juventusi kërkon Coutinhon dhe është gati të shpenzojë për këtë 175 milionë euro.

Kjo ofertë mund të krijojë probleme për Barcelonën, që deri më tani mendonte se e kishte nën kontroll dhe thuajse të sigurtë marrjen e mesfushorit 25-vjeçar brazilian”, shkruan “Don Balon”.

Barcelona deri më tani i druhej vetëm shifrave të çmendura që mund të ofronte PSG-ja, por rregullat e Fair Play-t financiar e pengojnë skuadrën franceze të sheikëve që të shpenzojë të tjera shifra pas transfertës së Neymar.