“Gjiko gënjen” – aktivistët tentojnë t’ia ndalojnë reperit hyrjen në Maldive

“Gjiko gënjen” – aktivistët tentojnë t’ia ndalojnë reperit hyrjen në Maldive

Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit në shtetin ishullor Maldive janë duke e shtyrë qeverinë e tyre që t’ia bllokojnë hyrjen në ishujt e shtetit reperit nga Kosova, Asdren Gjikolli – Gjiko, ka thënë sot aktivisti Shaff Naeem.

Në një bisedë me Insajderin, aktivisti për mbrojtjen e kafshëve nga Ishujt Maldive, Shaff Naeem ka deklaruar se Gjiko nuk e thotë të vërteten kur shprehet se është shpallur ambasador për mbrojtjen e kagfshëve të egra nga ishujt Maldive.

Reagimi i Naeem vjen si rrjedhojë e deklarimeve të Gjikos një muaj më parë, i cili u shpreh se është kontaktuar nga njerëzit në Maldive dhe prej autoriteteve atje është shpallur ambasador.


Shaff Naeem, zhytësi dhe aktivisti i mbrojtjes së kafshëve nga Maldivet

“Ju lutem, Gjiko po gënjen kur thotë se është ambasador i kafshëve të egra të Maldiveve”, tha sot Naeem për Insajderin. “Ai është i ndaluar për hyrjen në këtë vend [Ishujt Maldive v.j]”.

Gjiko në janar të këtij viti zgjodhi ishujt Maldive për të kaluar disa ditë pushimi me të dashurën e tij, Elita Rudin. Mirëpo këto pushime iu kthyen në ters, kjo pasi në një moment argëtimi, reperi nga Peja kishte incizuar një video ku shfaqej duke luajtur me një peshkaqen të nxjerrë nga uji, krijesë kjo e mbrojtur me ligj në ishujt Maldive.

Për ta parë videon e Gjikos në Maldive, klikoni këtu:

Pasi kishte përfunduar në listën e të padëshiruarve të resortit, Gjiko u detyrua të fshijë videon nga rrjetet sociale, teksa për t’i shpëtuar edhe procedurave gjyqësore, ai kishte publikuar edhe një video ku kërkoi falje.

Naeem ka thënë se zhytësit në ishujt Maldive janë duke tentuar që përmes presionit ndaj qeverisë, t’ia ndalojnë hyrjen në territorin e Maldiveve reperit Gjiko.

“Ne, zhytësit po e shtyjmë qeverinë të bëjë një deklaratë zyrtare ku thonë se ai e ka të ndaluar hyrjen në vend. Ajo që ai ka bërë është e papranueshme”, ka thënë Naeem. “Ai na kërkoi të hiqnim videon e tij, duke thënë se ai do të na ndihmonte në mbrojtjen e peshkaqevenëve. Por, pasi e hoqëm, ai nuk pranoi t’i përgjigjej ndonjë mesazhi.”

Ai ka thënë se Gjiko po gënjen në televizionet kosovare, në lidhje me aktivitetin e tij në Maldive dhe marrëdhëniet e tij me njerëzit e këtij shteti.