Gjilanasit që iu prish goma në ‘Rrugën e Kombit’: Vozitësit nga Kosova e injoruan, polici shqiptar i pagoi servisimin

Gjilanasit që iu prish goma në ‘Rrugën e Kombit’: Vozitësit nga Kosova e injoruan, polici shqiptar i pagoi servisimin

Adnan Arifi, nga Gjilani, derisa ishte duke kaluar në rrugën e kombit së bashku me familjen e tij, i kishte pëlcitur goma e veturës, me ç’rast ishte detyruar që të ndalonte në njërin nga segmentet rrugore për të kërkuar ndihmë.

Por, pavarësisht se ai së bashku me familjen kishte mbetur në rrugë, asnjë nga ata që kalonin këtë rrugë nuk ndalonin për t’i ndihmuar.

Ai ka treguar për Telegrafin, se shumë vetura me tabela të Kosovës as që morën mundin se paku ta pyesin se si mund t’i ndihmonin.

“Shumë vetura kaluan, askush nuk më ndihmoj, madje ishin me tabela të Kosovës. Por, në ndërkohë një veturë e Policisë Shqiptare, derisa po kalonin në krahun tjetër të rrugës, e panë në gjendjen çfarë ishim, me erdhën me ndihmuan duke e dërguar veturën të gomisteri më i afërt që ishte aty. Madje, Shefi i Policisë së Lezhës, Gjin Bushgjokaj, përveç ndihmës teknike, nuk me la të paguaj as për rregullimin e gomës”, ka sqaruar Arifi.

Ai më tutje ka thënë se është befasuar këndshëm nga ndihma dhe gatishmëria e treguar nga policia shqiptare për të, duke shtuar se zakonisht lajmet për përvojat e shqiptarëve të Kosovës me policët e Shqipërisë nuk janë pozitive.

Fillimisht rasti u publikua te grupi në Facebook, Marakli t’Kerreve, ku komentet pozitive për policin nga Shqipëria ishin të shumta, duke shpresuar që dashuria, respekti dhe bashkpunimi mes shqiptarëve të rritet gjithmonë e më shumë.