Vendimi i presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, për të mos e nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, me të cilën parashihet nd" />

“Gjorge Ivanov punon në dëm të shtetit”

“Gjorge Ivanov punon në dëm të shtetit”

Vendimi i presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, për të mos e nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, me të cilën parashihet ndryshimi i emrit kushtetues nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, ka nxitur reagime të shumta në skenën politike në vend.

Nga LSDM edhe njëherë kanë potencuar se Gjorge Ivanov po punon në dëm të shtetit, kundër Maqedonisë dhe kundër të ardhmes së vendit.

“Ivanovi nuk guxon të bllokojë të ardhmen e Maqedonisë. Në periudhën kur vendi është para shansit të marrjes së datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe para shansit për marrjen e ftesës për në NATO, Ivanov vazhdon me politikat destruktive, me çka i bën dëm shtetit dhe qytetarëve. Për të ardhmen nuk do të vendos Ivanovi desktruktiv, por të gjithë qytetarët”,- thonë nga LSDM.

Nga BDI vlerësojnë se Ivanov vazhdon ta mbajë shtetin të izoluar dhe se i njëjti përveç që nuk ka legjitimitet tek shqiptarët, të njëjtin po e humb edhe tek maqedonasit.

“Zoti Ivanov është i vetmi i cili po u prin forcave të pakta të cilat janë kundër integrimit të Maqedonisë në BE dhe në NATO. Ky propozim-ligj pas kthimit nga Ivanovi, do të miratohet përsëri, bile edhe me shumicë më të theksuar se herën e parë, me ç’rast i njëjti obligohet që ta respektojë kushtetutën e vendit dhe ta nënshkruajë propozim ligjin, me qëllim që të dalë në Gazetën Zyrtare. Ne si BDI tekstin për impiçment e kemi gati dhe presim momentin për fillimin e procedurës për shkarkim”,- u shpreh Artan Grubi nga BDI.

Nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Remenska, ka reaguar ndaj vendimit të Ivanovit dhe ka pohuar se i njëjti do të jetë i detyruar që të njëjtën ta nënshkruan pasi të kalojë për herë të dytë në Kuvend.

“Ishte e pritshme mosnënshkrimi nga ana e Ivanovit për këtë ligj dhe se ai këtë qëndrim e bëri të ditur edhe para se të bëhet publike ky ligj. Në pajtueshmëri të nenit 75 të Kushtetutës së Maqedonisë, ku shkruan qartë se nëse një ligj kalon për herë të dytë në Kuvend, kryetari i shtetit do të jetë i obliguar të njëjtin ta nënshkruajë dhe nuk ka të drejtë të japë shpjegim se a dëshiron ta nënshkruajë apo nuk dëshiron ta nënshkruajë”,- theksoi nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Remenska

Ky vendim ka nxitur reagimin edhe të Këshillit Qendror të Klubit Diplomatik – Shkup, të cilët kanë akuzuar presidentin Ivanov se ai po e pengon integrimin e vendit.

“Ivanov në disa veprime të tij skandaloze po pengon në masë të madhe integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, por edhe me faktin se i njëjti ka lënë afër 20 vende të lira, që nuk ka emëruar shefa të përfaqësive diplomatike të Republikës së Maqedonisë në vendet e huaja. Gjorge Ivanov, në mënyrë jo të duhur po i prezanton, afirmon dhe mbron interesat e Republikës së Maqedonisë. Kjo në veçanti është indikative kur duhet që në maksimum të angazhohet shteti që të finalizojë integrimin e vendit në strukturat euroatlantike”,- thonë nga klubi diplomatik.